back to top
26.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaTatimet publikojnë pagat indikative për sektorin e turizmit/ Ekspertët paralajmërojnë rritje çmimesh...

Tatimet publikojnë pagat indikative për sektorin e turizmit/ Ekspertët paralajmërojnë rritje çmimesh dhe evazion

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar publikimin e listës së pagave indikative për punonjësit e sektorit të turizmit, në kuadër të planit sektorial dhe nismave për rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Sipas Tatimeve, ky hap synon rritjen e të ardhurave për pensione dhe formalizimin e mëtejshëm të tregut të punës. Administrata tatimore do të analizojë pagat e deklaruara nga subjektet e këtij sektori për të identifikuar devijimet nga niveli referues i përcaktuar.

Por ky veprim ka ngjallur reagime në radhët e ekspertëve fiskalë. Qendra ALTAX paralajmëron se vendosja e pagave të detyrueshme në mënyrë të tërthortë do t’i vendosë bizneset përballë dilemës së rritjes së çmimeve apo shkurtimit të punonjësve. “Bizneset e vogla do të detyrohen të rishikojnë marrëveshjet e punësimit për t’iu shmangur penaliteteve, gjë që rrit kostot operative dhe ul përkohësisht marzhin e fitimit”, thuhet në analizën e ALTAX.

Një tjetër shqetësim është rreziku i shtimit të informalitetit dhe evazionit fiskal. “Punëdhënësit mund të shmangin deklarimet e sakta, duke i kthyer marrëdhëniet e punës në forma më të fshehta”, vijon analiza.

ALTAX sjell në kujtesë edhe një vendim të vitit 2008, ku përpjekja për të vendosur paga referuese u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo Administrative, me arsyetimin se cenonte të drejtat ekonomike dhe parimin e barazisë në taksim.

Ekspertët theksojnë se lista e re do të ketë ndikim në sjelljen e bizneseve turistike, duke prekur strukturën e kostove, konkurrencën në treg dhe mënyrën e kontraktimit të punonjësve sezonalë. Pyetja që ngrihet është nëse kjo masë do të ndihmojë formalizimin, apo do të nxjerrë më shumë punëtorë në informalitet.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat