Deputeti dhe ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, u paraqit këtë të martë në ambientet e SPAK, ku qëndroi për rreth 1 orë e 15 minuta. Pas daljes, ai refuzoi të përgjigjej pyetjeve të gazetarëve dhe nuk dha detaje lidhur me arsyen e vizitës, duke u shprehur vetëm: “te fala Ristanit”.
Sipas mediave, kjo paraqitje mund të ketë lidhje me kallëzimin e ish-deputetit demokrat Arben Ristani, i depozituar më herët pranë SPAK. Kallëzimi lidhet me dyshime për përfshirjen e Peçit në afera korruptive që sipas Partisë Demokratike kapin vlerën e 66 milionë eurove, duke përfshirë tenderët e rindërtimit pas tërmeteve.
Në prill të këtij viti, PD ka depozituar kallëzimin zyrtar pranë SPAK, duke kërkuar hetime për mospërputhje dhe shkelje ligjore në tendera ku Peçi dyshohet të jetë përfshirë.
SPAK nuk ka dhënë detaje shtesë mbi natyrën e pyetjeve apo procedurën që po zhvillohet, ndërsa Peçi ka zgjedhur të mos komentojë publikisht mbi hetimet.



