Një dosje voluminoze prej qindra faqesh, e siguruar nga Gjykata e Posaçme, ka hedhur dritë mbi një nga rastet më të rënda të dyshuara të infiltrimit të rrjeteve kriminale brenda Policisë së Shtetit. Në qendër të hetimit ndodhet efektivi i Antiterrorit dhe ish-oficer i Forcës së Posaçme Operacionale, Igli Haxhiaj, i cili akuzohet se ka shitur informacion të klasifikuar tek trafikantë ndërkombëtarë të kokainës.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Haxhiaj dyshohet se u ka ofruar grupeve kriminale të dhëna të ndjeshme mbi përgjimet, pikat e vëzhgimit dhe planet operative, në këmbim të pagesave që arrinin deri në 15 mijë euro për çdo “shërbim informacioni”.
Fijet e skandalit nisin nga SkyECC
Hetimi mori formë pas analizimit të komunikimeve të aplikacionit të enkriptuar SkyECC. Oficerët e SPAK, në datën 05 dhjetor 2020, identifikuan biseda mes profilit HY67U7 – që sipas hetuesve i përket Haxhiajt – dhe një përdoruesi të identifikuar si 8AIVIH, i konsideruar ndërmjetës mes tij dhe trafikantëve Dario dhe Denis Myftiu.
Në një nga bisedat e zbardhura, HY67U7 paralajmëron:
“Duhet të jemi në kontakt me mua që mos bjerë në sy… Ti bëjmë gjërat sikur ndodhin rastësisht.”
Po atë ditë, sipas të njëjtës dosje, HY67U7 kalon në komunikim direkt me profilin 41L8YM – i atribuar Dario Myftiu:
“Jemi 3 veta nga 5 mijë vëlla.”
“Ti, nusja, nona jote, Asti… i keni telefonat në përgjim. Nëse do info të tjera, bojnë lek.”
Pagesa e kërkuar, sipas SPAK, arrinte në 15 mijë euro, të ndarë mes tre personave të përfshirë në procesin e nxjerrjes së informacioneve.
Bisedat vijojnë edhe të nesërmen. Sipas dosjes, HY67U7 i shkruan ndërmjetësit:
“Do i them: kam një info dhe e shes, a e do???”
Biseda të tjera flasin për çmime dhe transport të kokainës
Përtej nxjerrjes së sekretit hetimor, dosja përmban një sërë komunikimesh ku flitet hapur për llojin e “mallit”, çmimet e kilogramëve të kokainës dhe transportet ndërkombëtare.
Në një bisedë të datës 10 shkurt 2021, profili HY67U7 përmend:
“Kam Holland me 29 mijë euro/kg… t’përzime kam plot me 25.”
Ndërsa një bashkëbisedues i kërkon:
“Do një shok 20 buk në Hollandë…”
Sipas hetuesve, këto komunikime tregojnë se Haxhiaj dyshohet të ketë luajtur rol të dyfishtë, si furnizues i informacioneve sekrete dhe si ndërmjetës në tregti ndërkombëtare të lëndëve narkotike.
Pse rrezikonte hetimin ndërkombëtar?
Që nga viti 2019, Shqipëria ishte pjesë e një Joint Investigation Team (JIT) me Italinë dhe Zvicrën, që monitoronte rrjetet e trafikut të kokainës me bazë në Ballkan dhe Europë.
Sipas dosjes, Haxhiaj ishte vetë pjesë operative e procedurave të ndjeshme.
instalimi i pajisjeve të përgjimit në automjetet e familjes Myftiu, vëzhgime 24-orëshe të subjekteve të hetimit,përpunimi i informacionit të klasifikuar të operacioneve ndërkombëtare.
Kjo situatë, sipas autoriteteve, e bëri çdo rrjedhje informacioni jashtëzakonisht të rrezikshme. Nëse dyshimet rezultojnë të vërteta, oficerët e vëzhgimit dhe planet e JIT mund të kenë qenë të ekspozuara në kohë reale tek grupet kriminale.
Arrestimi dhe pretendimet e oficerit
GJKKO vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Igli Haxhiajn. Ai u ndalua në ambientet e Akademisë së Sigurisë, ku aktualisht punonte përpara se të fillonin kontrollet e SPAK.
Para gjykatës, Haxhiaj ka mohuar të gjitha akuzat. Efektivi ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë llogari në SkyECC dhe se emri i tij është përdorur nga persona të tjerë.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Hetimi i SPAK vijon, ndërsa do të priten ekspertiza teknike dhe prova shtesë që të vërtetojnë identitetin real të përdoruesve të profileve të përmendura në SkyECC.



