Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar në çështjen penale nr. 75/3 të vitit 2024, ku pesë persona janë shpallur fajtorë për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Në mesin e të dënuarve janë Eglantina Zere, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati. Secili prej tyre u dënua fillimisht me 9 muaj burgim, por dënimi përfundimtar, pas aplikimit të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, u ul me një të tretën, duke rezultuar në 6 muaj burgim për secilin.
Gjykata vendosi që dënimi të fillojë nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në burgje me siguri të zakonshme. Përveç dënimit me burg, të pandehurve u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Në vendimin e Gjykatës, i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Etleva Deda, u theksua gjithashtu se shpenzimet proceduriale dhe ato gjyqësore në fazën e hetimeve paraprake do t’i mbulojnë në mënyrë solidare të pandehurit.
Ky proces gjyqësor u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, një procedurë që parashikon përshpejtim të trajtimit të çështjes. Ndërkohë, kundër këtij vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga data e komunikimit të vendimit.
Kjo çështje vjen në një kohë kur lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri është prioritet i institucioneve dhe po ndiqet me vëmendje nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.