back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaTenderat e Kavajës në sitë/ Elvis Rroshi drejt bankës së të akuzuarve

Tenderat e Kavajës në sitë/ Elvis Rroshi drejt bankës së të akuzuarve

Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku raportohet se i është komunikuar zyrtarisht mbyllja e hetimeve ndaj tij.

Katër ditë më parë, SPAK përfundoi hetimet ndaj ish-kreut të Bashkisë së Kavajës dhe pritet ta dorëzojë atë të pandehur në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Sipas hetimeve, shkeljet që i adresohen Rroshit lidhen me dhënien e urdhrave për zhvillimin e të paktën gjashtë procedurave tenderuese në Bashkinë e Kavajës. Këto tendera kanë pasur si objekt pastrimin e qytetit, zhvillimin e qendrës urbane dhe rikonstruksionin e disa akseve rrugore, gjatë periudhës kur Rroshi ushtronte detyrën si drejtues i pushtetit vendor.

Problemet ligjore të Elvis Rroshit nisën që në vitin 2016, në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, kur u konstatua se ai nuk kishte deklaruar në formular një dënim të mëparshëm në shtetin italian.

Më pas, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) kërkoi nisjen e hetimeve për procedurat e prokurimit të zhvilluara në vitet 2013–2014. Prokuroria vendore e pushoi çështjen dhe ia përcolli për vendimmarrje SPAK-ut, i cili nuk e pranoi këtë vendim dhe vlerësoi se duhej nisur ndjekja penale.

SPAK u orientua drejt hetimit edhe pas një urdhri të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, e cila sugjeroi kryerjen e veprimeve hetimore për aktivitetin e Bashkisë së Kavajës gjatë periudhës kur ajo drejtohej nga Elvis Rroshi.

Gjatë hetimeve, SPAK administroi dëshmi dhe një raport të KLSH-së, sipas të cilit dyshohet se është shkaktuar një dëm ekonomik prej afro 500 milionë lekësh.

Përveç akuzës për shpërdorim detyre dhe veçimit të dosjes ndaj dhjetë nëpunësve të tjerë, SPAK ka hapur një fraksion të veçantë hetimor ndaj Elvis Rroshit edhe për veprën penale të pastrimit të parave. Ky hetim bazohet në një akt-ekspertim financiar, ndërsa për këtë qëllim është nisur edhe një letërporosi drejt autoriteteve italiane.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat