Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ironizuar sot mazhorancën gjatë një deklarate për media, duke komentuar mënyrën se si qeveria menaxhon fondet publike. Sipas Shehajt, për qeverinë aktuale, një ministre që ndan tenderat në zyrë me drejtorët e saj përbën një “histori suksesi”.
“Nëse për ju sukses është që të vidhen paratë që duhet të shkojnë tek qytetarët shqiptarë, atëherë e gjithë qeverisja e PS ka qenë një histori e jashtëzakonshme suksesi,” deklaroi Shehaj.
Ai shtoi se hetimet e SPAK-ut dhe rastet e dyshuara të abuzimit me fonde publike janë treguesi kryesor i asaj që ai e cilëson si korrupsion i strukturuar në nivele të larta. “Përditë, sipas këndvështrimit tuaj, Belinda Balluku është një ministre jashtëzakonisht e suksesshme. Sepse tenderat i vendos në zyrën e saj me drejtorët e saj pranë, dhe kështu vidhen miliona euro,” tha Shehaj, duke u ndalur konkretisht tek një rast ku sipas tij janë përfshirë 33 milionë euro të fondeve publike.
Kreu i Mundësisë theksoi se ky model qeverisjeje nuk mund të konsiderohet si histori suksesi, pasi fondet që duhej të përdoreshin për qytetarët shqiptarë janë përdorur në mënyrë të dyshimtë. Ai theksoi gjithashtu nevojën për transparencë dhe përgjegjësi, duke bërë thirrje që institucionet të monitorojnë më rigorozisht menaxhimin e tenderave dhe shpenzimin e fondeve publike.



