Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar zëvendëskryeministren Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në procedurat e tenderimeve.
Burime të besuara bëjnë me dije se Balluku është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën, bazuar në një shkresë që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi. Fletëthirrja i është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ajo ushtron detyrën si ministre.
Në dokument, i bëhet me dije se gjatë paraqitjes duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, duke sugjeruar mundësinë e komunikimit të një akuze penale. Ky veprim nënkupton se SPAK mund të ushtrojë ndjekje penale ndaj numrit dy të qeverisë pa kërkuar autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë.
SPAK ka qenë shumë i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me hetimin, i cili përfshin edhe kallëzime të tjera penale ndaj Ballukut, përfshirë çështjen e tunelit të Llogarasë, ku vlera e tenderit fituar nga një kompani turke u rrit me mbi 50 milionë euro.
Ende nuk dihet nëse Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes dhe nëse do të vazhdojë të qëndrojë në postet qeveritare apo do të zgjedhë dorëheqjen për të zhvilluar betejën ligjore jashtë mburojës së Partisë Socialiste.
Belinda Balluku ushtron detyrën e zv/kryeministres që nga korriku 2022 dhe atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që nga janari 2019. Ajo ka qenë gjithashtu drejtues politike e qarkut Fier, ku në zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate për Partinë Socialiste.



