Hetimet për aferën e “Eco Parkut” në Durrës kanë marrë një zhvillim të ri, pasi SPAK ka marrë dhjetë ditë më parë dëshminë e ish-deputetit socialist Alqi Bllako, i cili ndodhet aktualisht në paraburgimin e Durrësit.
Sipas gazetares Anila Hoxha, ish-deputeti është pyetur në cilësinë e ish-drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) për më shumë se tre orë.
Çështja lidhet me vendimin e vitit 2019, kur qeveria mbylli landfillin e Porto Romanos dhe shpalli projektin për ndërtimin e një “Eko Parku”. Fillimisht, AKUM shpalli tenderin në tetor të po atij viti, por më pas e anuloi. Më vonë, qeveria vendosi që procedura të kryhej me negocim të drejtpërdrejtë.
Tenderi, me vlerë 18.5 milionë euro, përfundoi në favor të kompanive “De Mare” dhe “Victoria Invest”.
Alqi Bllako është marrë disa herë në pyetje për këtë aferë, ndërsa SPAK po vijon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore në lidhje me procedurat e ndjekura.