Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masën e sigurisë ndaj shtetasit Jonaid Myzyri, Kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Gjykata ka vendosur ndaj tij:
Pezullimin e ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik
Detyrimin për t’u paraqitur periodikisht pranë Policisë Gjyqësore
Në fokus të këtij procedimi penal është procedura e prokurimit me nr. REF-65268-07-13-2020, konkretisht “Loti V: Mirëmbajtje rutinë me performancë e rrugës Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal – Q. Bene – Hadroj – Ura e Repsit”, me fond limit 219.8 milionë lekë (pa TVSH), e zhvilluar më 18 shtator 2020 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Sipas SPAK, Komisioni i Prokurimeve Publike, gjatë shqyrtimit të ankesës mbi këtë procedurë, ka neglizhuar shkeljet ligjore të konstatuara në vlerësimin e ofertave, duke favorizuar padrejtësisht një bashkim operatorësh ekonomikë të cilët kishin paraqitur dokumente të falsifikuara.
Për këtë rast, janë marrë si të pandehur gjithsej 11 shtetas, përfshirë zyrtarë publikë dhe përfaqësues të kompanive të përfshira në tender. Ata akuzohen për veprat penale:
“Shkelje e barazisë në tendera”, në bashkëpunim (nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal)
“Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” (neni 190 i Kodit Penal)
Ndaj tyre vijojnë hetimet për verifikimin e plotë të përgjegjësive penale dhe implikimit në procedura të parregullta prokurimi me dëm të interesit publik.