Në kuadër të një hetimi për dyshime mbi shkelje në procedurën e prokurimit, SPAK ka sekuestruar dosjen e tenderit për zhvillimin e projektit të Porto Romano. Sekuestrimi, raportohet se u krye të martën pranë Autoriteti Portual Durrës, ku ndodhej dokumentacioni i plotë i procedurës.
Tenderi për projektin e Porto Romanos ka një vlerë prej rreth 400 milionë eurosh dhe është zhvilluar në dy faza: parakualifikim dhe kualifikim. Nga faza e parë është skualifikuar një kompani holandeze, ndërsa më 9 mars është paraqitur vetëm një ofertë financiare. Në garë ka mbetur e vetme një kompani greke, e cila ka vijuar me fazën përfundimtare të tenderit.
Hetimet e SPAK pritet të verifikojnë nëse gjatë zhvillimit të procedurës janë respektuar kriteret ligjore dhe parimet e barazisë në garë. Deri më tani, Autoriteti Portual Durrës nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me sekuestrimin e dosjes.
Sekuestrimi vjen disa orë pas shkarkimit të Belinda Balluku, ndërsa kryeministri Edi Rama ka folur brenda grupit parlamentar socialist për presione të jashtme mbi hetimet që po zhvillohen në vend.



