Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, sapo ka dalë nga selia e SPAK, ku ishte thirrur për një çështje që ndodhet aktualisht në hetim. Hetimi lidhet me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një projekt strategjik që ka qenë pjesë e investimeve të mëdha infrastrukturore në vend. Ende nuk dihet nëse SPAK i ka komunikuar akuzën ministres Balluku gjatë kësaj seance.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Balluku tha:
“Në respekt të organeve të drejtësisë kam pranuar kërkesën e SPAK për një çështje në hetim. Si zyrtare publike e shoh si një proces që jam shpresëplotë që do të jetë i bazuar në llogaridhënie dhe parimet e drejtësisë.”
Paraditen e sotme për të njëjtën çështje janë thirrur edhe persona të tjerë, përfshirë Gentjan Gjylaj, duke treguar se hetimi është i gjerë dhe përfshin disa individë me përgjegjësi të ndryshme në këtë tender.
Procesi i SPAK për tenderin e Llogarasë pritet të jetë i gjatë, duke përfshirë intervistimin e disa individëve dhe analizimin e dokumentacionit të tenderit.



 
                                    