Një episod i ri tensioni mes Italisë dhe Rusisë ka shpërthyer pas vendimit të gazetës prestigjioze italiane Corriere della Sera për të mos publikuar një intervistë me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Sipas njoftimit të Ambasadës ruse në Romë, redaksia e gazetës ka refuzuar botimin – si në versionin e printuar, ashtu edhe në atë online – duke argumentuar se deklaratat e Lavrov “përmbajnë shumë pretendime të diskutueshme që kërkojnë verifikim faktesh ose sqarime shtesë”, gjë që, sipas tyre, “do të kalonte kufijtë e arsyeshëm të një botimi gazetaresk”.
Ministria e Jashtme ruse e cilësoi vendimin si “censurë të turpshme”, duke theksuar se intervista e plotë është publikuar tashmë në faqen zyrtare të institucionit në Moskë.
Në materialin e plotë, Lavrov flet për atë që e quan “ringjallje të nazizmit në Evropë”, akuzon qeveritë perëndimore se “përpiqen të shpërqendrojnë qytetarët nga problemet e brendshme ekonomike” përmes financimit të Ukrainës, dhe përshkruan Rusinë si “një shtet civilizues me histori mijëravjeçare”.
Refuzimi i Corriere della Sera vjen në një klimë të ngarkuar marrëdhëniesh mes BE-së dhe Rusisë, ku çështja e dezinformimit dhe e manipulimit të mediave është bërë gjithnjë e më e ndjeshme.



