Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur sot për të diskutuar strategjinë e qëndrimit të opozitës në dy seancat e ardhshme plenare, të hënën dhe të enjten.
Sipas burimeve mediatike, deputetët demokratë janë shprehur njëzëri se nuk do të pranojnë kufizimin e të drejtës për të folur në Kuvend nga ana e mazhorancës.
Deputeti Tomor Alizoti ka qenë ndër më të drejtpërdrejtët në qëndrimin e tij, duke paralajmëruar se opozita nuk do të qëndrojë e heshtur nëse i mohohet fjala.
“Unë nuk jam radikal, besoj askush prej nesh në këtë grup. Por nuk besoj se rruga që duhet të ndjekim është të nënshtrohemi ndaj tyre. Ne kemi të drejtë të bëjmë pyetje, kemi të drejtë të flasim. Nëse na hiqen këto, ne e kemi me detyrim reagimin, sepse po vritet thelbi i parlamentarizmit,” – është shprehur Alizoti.
Ai shtoi se heshtja e opozitës do të ishte një formë bashkëfajësie me mazhorancën.
“Ata s’mund të na tregojnë ne sesi duhet të flasim, sesi duhet të vishemi. Ne jemi deputetë të opozitës, duke mbrojtur të drejtat tona mbrojmë parlamentarizmin. Fasadë në Kuvend ne nuk bëhemi dot. Duhet reagim, madje i fortë, që të gjithë të mësojnë që Shqipëria s’ka parlamentarizëm. Heshtja jonë është bashkëfajësi me ta në vrasjen e pluralizmit,” – theksoi ai.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti Belind Këlliçi, i cili megjithatë kërkoi gjetjen e një ekuilibri midis reagimit dhe nevojës për të folur.
“Unë mendoj se duhet të ruajmë një balancë mes reagimit dhe nevojës për të folur. Edhe unë nuk jam që të nënshtrohemi, por të gjejmë një zgjidhje sesi arrihet kjo pa humbur mundësinë për të folur,” – tha Këlliçi.



