Tensione dhe përplasje janë shënuar sërish pasditen e së hënës përballë Kryeministrisë, mes forcave të rendit dhe simpatizantëve të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj, i cili prej disa ditësh po zhvillon protesta në këtë zonë.
Gjatë përplasjeve, një qytetar është parë i shtrirë në tokë, ndërsa dëgjohet teksa thërret se i është thyer këmba. Pamjet nga vendngjarja tregojnë tension të lartë mes protestuesve dhe policisë, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën.
Burime nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet” bëjnë me dije se për dhunën e pretenduar të ushtruar nga policia është njoftuar edhe Ambasada britanike, duke e konsideruar situatën shqetësuese dhe të papranueshme.
Protesta e Adriatik Lapajt vijon prej ditësh përballë Kryeministrisë, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me incidentin dhe pretendimet për përdorim force ndaj protestuesve.



