Dita e 46-të e protestave të banorëve të Rrjoll është shoqëruar me tensione të ashpra mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Disa protestues janë shoqëruar në komisariat pasi kundërshtuan me forcë efektivët gjatë përplasjes. Pamjet e siguruara tregojnë momente të forta, ku gjatë konfrontimeve fizike një efektiv policie shtyn një qytetar në një gropë anës rrugës.
Në video shihen gjithashtu protestues të tjerë që përplasen me policinë, duke iu drejtuar me tone të larta dhe duke kundërshtuar ndërhyrjen e tyre. “Pse po më prek me dorë?”, dëgjohet të thotë një prej protestuesve.
Përplasjet ndodhën pranë rrugës kryesore, ku situata u përshkallëzua në konfrontime fizike mes disa qytetarëve dhe efektivëve, duke çuar në incidente të drejtpërdrejta.
Gjatë protestës, banorët kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të mbrojtur tokat, duke deklaruar se “malësorët i mbrojnë me gjak tokat e tyre”.
Prej 46 ditësh, banorët e zonës së Baks-Rrjoll protestojnë kundër ndërtimit të resortit turistik Blue Borgo. Ata pretendojnë se toka ku parashikohet zhvillimi i projektit është në pronësi të tyre dhe thonë se disponojnë dokumentacion përkatës.
Protestës i janë bashkuar edhe qytetarë nga zona të tjera të Shqipërisë, duke rritur numrin e kundërshtarëve të projektit. Nga ana tjetër, kompania Gener 2 ka deklaruar se projekti po zbatohet në përputhje të plotë me ligjin, duke publikuar dokumente për të mbështetur këtë qëndrim.



