back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaThaçi në Hagë/ Mbrojtja sjell dëshmitarë të profilit të lartë: Albright, Holbrooke...

Thaçi në Hagë/ Mbrojtja sjell dëshmitarë të profilit të lartë: Albright, Holbrooke dhe Dole në listë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së po hyn në një fazë vendimtare. Avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, njoftoi gjatë konferencës përgatitore se mbrojtja ka përgatitur një listë të gjerë dëshmitarësh të nivelit të lartë ndërkombëtar, të cilët do të përdoren për të hedhur dritë mbi zhvillimet historike dhe akuzat e Prokurorisë.

Prosper bëri të ditur se në listë përfshihen emra të tillë si ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, diplomati Richard Holbrooke dhe senatori Bob Dole. Ai theksoi se informacioni i tyre është i natyrës shfajësuese dhe mund të vendosë në kontekst shumë prej akuzave të ngritura kundër Thaçit dhe të tjerëve. “Kemi një listë të gjerë me personalitete me ministatur të madhe. Informacioni që ata sjellin është shfajësues dhe lidhet drejtpërdrejt me lëndën e Prokurorisë,” tha Prosper.

Avokati Luka Mishetiq, pjesë e ekipit mbrojtës të Thaçit, njoftoi se objektivi është që paraqitja e dëshmitarëve të përfundojë deri në fund të muajit nëntor, duke kërkuar kohë shtesë për mocione procedurale dhe dokumente që nuk do të kalojnë përmes dëshmitarëve.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Jakup Krasniqit deklaroi se për dy dëshmitarët e tyre u nevojitet vetëm një javë për paraqitjen e provave, pa llogaritur kohën e kundërpyetjeve. Ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka hequr dorë nga e drejta për të sjellë prova të tjera në këtë proces.

Trupi gjykues, i kryesuar nga Charles Smith III, konfirmoi se faza e paraqitjes së provave nga mbrojtja do të nisë më 15 shtator 2025.

Ndërkohë, më 18 gusht 2025, Dhomat e Specializuara vendosën kufizime në vizitat për ish-presidentin Thaçi, duke ndaluar kontaktet me 11 persona, mes tyre figura të njohura si Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi dhe Avni Kastrati, përveç disa emrave të tjerë të redaktuar nga vendimi. Sipas gjyqtares Marjorie Masselot, ndalimi vlen vetëm për vizitat jo të privilegjuara dhe hyn në fuqi menjëherë.

Kjo fazë pritet të shënojë një kthesë të rëndësishme në procesin “Thaçi dhe të tjerët”, ku mbrojtja synon të kundërshtojë me prova dhe dëshmi të forta akuzat e ngritura nga Prokuroria.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat