Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka vendosur të mos nisë një hetim disiplinor ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila u kritikua publikisht nga kryeministri Edi Rama për mospaditjen e një ndërtimi pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit.
Në një letër zyrtare dërguar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, ILD njofton se pas verifikimeve paraprake mbi ankesën e paraqitur më 10 korrik, nuk janë konstatuar elementë juridikë apo faktikë që të justifikonin nisjen e hetimit disiplinor ndaj prokurores. Për këtë arsye, kërkesa është arkivuar.
“Nuk konstatohen elementë juridikë apo faktikë të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates Elsa Gjeli”, thuhet në vendimin zyrtar të ILD, të datës 15 korrik 2025.
ILD njofton gjithashtu se ministri Manja ka të drejtë të ankimojë vendimin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë brenda një jave nga marrja e vendimit.
Prokurorja Gjeli ishte në qendër të vëmendjes pas kritikave të kryeministrit Rama më 7 korrik, kur qeveria ndërhyri për të shembur disa ndërtime pranë kishës në fshatin Theth. Rama e akuzoi atë për mbylljen e një çështjeje penale lidhur me këto ndërtime, që sipas kryeministrit, ishin të paligjshme dhe të lidhura me figura të botës së krimit.