Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka njoftuar nisjen e dy linjave të reja direkte të operuara nga Transavia, që lidhin Shqipërinë me qytetet franceze Nantes dhe Bordeaux. Këto linja sezonale do të ofrojnë fluturime dy herë në javë, çdo të enjte dhe të diel, duke zgjeruar mundësitë për turizëm dhe shkëmbime ekonomike e kulturore mes dy vendeve.
Ceremonia inaugurale u zhvillua sot në TIA me mbërritjen simbolike të fluturimit të parë nga Nantes dhe prerjen e shiritit, ku morën pjesë përfaqësues të Aeroportit dhe Transavia-s.
Drejtori Operacional i TIA-së, Piervittorio Farabbi, u shpreh se zgjerimi i bashkëpunimit me Transavia-n dëshmon interesin në rritje të tregut francez për Shqipërinë dhe se këto linja do të shërbejnë jo vetëm turizmin, por edhe komunitetin shqiptar në Francë, si dhe lidhjet kulturore dhe ekonomike.
TIA vazhdon të konsolidohet si një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë, duke ofruar një gamë gjithnjë më të gjerë destinacionesh për pasagjerët dhe duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve.