Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e sotme, duke e cilësuar atë si fillimin e një beteje vendimtare për përmbysjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se protesta e sotme shënon inaugurimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të asaj që ai e cilëson si “narkoshteti i Edi Ramës”. Ai ftoi demokratët, opozitarët dhe qytetarët pa dallim bindjesh politike që të mblidhen në Tiranë dhe të dalin në shesh, duke e quajtur këtë moment një mision të madh kombëtar.
“Këto pak orë që na ndajnë nga protesta që inauguron fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës dhe narkoshtetit të tij, ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, të dalin në sheshin e betejës dhe të vijnë në Tiranë”, u shpreh Berisha.
Sipas kreut të PD-së, kjo protestë përfaqëson një shans historik për qytetarët shqiptarë, duke e krahasuar situatën në Shqipëri me zhvillime të ngjashme në vende si Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka, ku, sipas tij, regjime autokratike janë rrëzuar pas krizave të thella politike dhe sociale.
Berisha theksoi se data 22 dhjetor është një ditë e shënuar dhe një moment që, sipas tij, fton çdo shqiptar të marrë pjesë në betejën për ndryshim. Ai bëri thirrje për bashkim të të gjitha forcave opozitare, pavarësisht dallimeve politike, me qëllim për t’i treguar shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se opozita është e vendosur të çojë deri në fund përmbysjen e regjimit aktual.
“Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitarë, pavarësisht dallimeve që kemi, të bashkohemi sot për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka forcë që na ndalon pa përmbysur regjimin më armiqësor dhe më të keq që shqiptarët kanë njohur”, deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha shprehu bindjen se Tirana dhe e gjithë Shqipëria “po zien”, ndërsa protesta e sotme, sipas tij, do të shënojë një kthesë të madhe drejt fitores për qytetarët shqiptarë, për dinjitetin, familjen dhe të ardhmen e tyre, si dhe për vendin dhe kombin.
Protesta e opozitës pritet të zhvillohet sot në Tiranë, në një kohë kur tensionet politike në vend mbeten të larta dhe thirrjet për mobilizim qytetar janë shtuar ndjeshëm në ditët e fundit.



