Gjykata e Posaçme ka dënuar me 10 muaj burg Aleksandër Lahon i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi, në lidhje me akuzën për korrupsion.
Laho, i njohur ndryshe edhe si “Rrumi i Shijakut”, akuzohej se i kishte dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Njoftimi i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur
pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale, që i përket
procedimit penal nr. 235, të vitit 2019, në ngarkim të të pandehurit Aleksandër Laho, i
akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave qe ushtrojnë
funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 në lidhje me nenin
25 të Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim
të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Irena Gjoka dhe Ardit
Mustafaj, me vendimin Nr. 12, datë 06.02.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Laho, për kryerjen e veprës penale
“Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar
nga neni 244 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021) dhe në bazë
të kësaj dispozite, dënimin e tij me 1 (një) vit e 3 (tre) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Aleksandër
Laho i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë)
muaj burgim.
Llogaritja e dënimit fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me
burgim nga i pandehuri do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në
referim të parashikimeve të nenit 18, të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe
trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore (sipas
procesverbalit te dokumentimit te tyre) i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke
filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.