Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, pasi është pyetur për skandalin e mishit të pulës me salmonelë, është detyruar të përgjigjet, të paktën të japë një version.
Nga Athina, para një takimi të kryeministrit Edi Rama me shqiptarët atje Denaj është pyetur nga Euronews.
Sipas ministres, AKU ka kryer detyrën e saj sipas protokolleve dhe është angazhuar për të garantuar sigurinë ushqimore.
Denaj theksoi ka pasur reagim por se nuk duhet të politizohet çështja e ushqimit dhe se rasti duhet të shqyrtohet nga institucionet përkatëse.
“Është gjithmonë kënaqësi të jesh në Athinë me bashkëatdhetarët. Situata e AKU është e qartë; agjencia ka kryer detyrën dhe ka realizuar kontrollet e nevojshme.
Sigurisht, lajmi është bërë publik, janë konfirmuar përgjigjet e analizave dhe i gjithë zinxhiri i kontrollit, për të cilin AKU ka denoncuar ata që kanë shkelur protokollet.
Çështja i takon insitucioneve si krimi ekonomik, policia që duhet të japin gjykimin përkatës. Nuk bëhet politikë me ushqimin, është shumë e rëndësishme që të verifikohen prononcimet në media nga institucionet shtetërore.
Jo vetëm që kemi reaguar, por gjithashtu i kemi çuar çështjet përpara institucioneve. Por, politikë me ushqimin nuk bëhet, institucionet janë aty për të garantuar zbatimin e protokolleve, të cilat janë të shkruara dhe të zbatuara nga ne. Jam gjithmonë në shërbim të sqarimit, por vetëm për publikun,” deklaroi Denaj.