Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, dhe deputeti socialist Erion Braçe janë përfshirë në një debat me tone të ashpra gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit të Ekonomisë, ku po diskutohej projektbuxheti i vitit 2026.
Gjatë prezantimit të raportit nga Bilali, deputetët kërkuan që ajo të ishte më e përmbledhur dhe të sillte më shumë shifra konkrete.
Kryetarja e Komisionit, Milva Ekonomi, i kërkoi zv.ministres të përmblidhte diskutimin për t’u dhënë hapësirë pyetjeve të deputetëve.
“Ne duhet ta përdorim kohën me ekonomicitet,” tha Ekonomi.
Në debat u përfshi edhe Erion Braçe, i cili i kërkoi Bilalit të shmangte “fjalët e tepërta”.
“Mund t’i përmendësh të gjitha, por pa fjalë të tepërta,” u shpreh Braçe.
Bilali iu përgjigj me ironi të lehtë:
“Do përpiqemi të mos e teprojmë, shumë faleminderit për këtë shënim… Na trembët deputet, na trembët. Qetësohuni.”
Debati mes përfaqësuesve të mazhorancës ndodhi në kuadër të diskutimeve për ndarjen e fondeve në buxhetin e vitit të ardhshëm.



