Ish-presidenti Bamir Topi ka deklaruar se ende nuk ka marrë një ftesë nga SPAK për të dëshmuar lidhur me ngjarjet e përgjakshme të 21 Janarit 2011, gjatë një interviste në emisionin “Breaking” me gazetaren Dafina Hysa.
Topi nuk komentoi mospërgjigjen e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj ftesës së SPAK, por theksoi se çdo thirrje nga ky institucion është detyrim ligjor, dhe jo një çështje vullneti personale.
“Gjithçka që unë kam pasur për të dhënë mesazhe për 21 Janarin i kam dhënë pafundësisht. Mes institucionit dhe individit, unë kam pasur gjithmonë besueshmërinë te institucionet. Nuk kam fletëthirrje nga SPAK, por nëse do të më thërrasin, është detyrim,” tha Topi.
Ish-presidenti shtoi se çdo qytetar i thirrur nga SPAK duhet të paraqitet:
“Çdo njeri që thirret duhet të shkojë, është detyrim, nuk është çështje vullneti nëse dëshiron apo jo. Cilido që të jesh, kudo të jesh, nëse ata të kërkojnë, patjetër. Është detyrim.”
Deklaratat e Topit vijnë ndërsa SPAK po vijon hetimet për ngjarjet e 21 Janarit, kur gjatë një proteste të opozitës u përdor dhunë, duke shkaktuar viktima dhe plagosje. Topi theksoi besimin e tij te institucionet dhe theksoi përgjegjësinë e secilit të përgjigjet ndaj thirrjes së drejtësisë.



