Ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, u paraqit këtë të mërkurë në Apelin e Posaçëm, ku kërkoi pafajësi lidhur me çështjen e njohur “Toyota Yaris”.
Mbrojtësi i tij ligjor, Julian Mërtiri, theksoi se klienti i tij nuk ka qenë përdorues i aplikacionit Sky Ecc dhe se nuk mund të kishte ndikim në çështjet që trajtoheshin në Tiranë, pasi Zarka punonte në Vlorë.
“Përfshirja e Zarkas në këtë çështje ishte artificiale, pasi të gjitha bisedat janë bërë nga të tjerët dhe nuk kishte arsye që ai të përfshihej në marrëdhënie”, deklaroi Mërtiri.
Zarka ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, e cila e dënoi fillimisht me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm. Dënimi u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Apeli i Posaçëm ka dëgjuar pretendimet e mbrojtësit dhe është tërhequr për të shpallur vendimin më 12 nëntor.
Në gjykimin fillestar, vendimi për dënim u dha nga treshja e gjyqtarëve Erjon Çela, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, ndërsa hetimet u ndoqën nga prokurori Klodian Braho.



