Shoqatat e transportit publik kanë paralajmëruar se rritja e çmimit të naftës po vë në vështirësi serioze funksionimin e linjave urbane dhe ndërqytetëse, duke rrezikuar drejtpërdrejt shërbimin për qytetarët.
Në një komunikim për mediat, përfaqësuesit e shoqatave kërkuan ndërhyrje urgjente nga shteti, duke propozuar disa zgjidhje si ulja e taksave, rritja e çmimit të biletës ose kompensimi financiar i operatorëve. Sipas tyre, pa masa konkrete, sektori rrezikon të përballet me një krizë të thellë.
Operatorët theksojnë se kostot e larta të karburantit po i vendosin në pamundësi për të përballuar shpenzimet, çka mund të çojë në reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim. Kjo, sipas tyre, do të sjellë vonesa më të shpeshta dhe përkeqësim të shërbimit për pasagjerët.
“Ne kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Në rast se reduktohet flota, kjo vjen si pasojë e mosreagimit të institucioneve”, u shprehën përfaqësuesit e shoqatave, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet nëse nuk merren masa të menjëhershme.



