Gara për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka hyrë në fazën përfundimtare, me tre kandidatë që kryesojnë listën: Tonin Vocaj, Lorenc Panganika dhe Skënder Hitaj.
Sipas raportimeve, lista me tre emrat kryesorë i është dërguar kryeministrit Edi Rama nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ndërsa tashmë vendimi përfundimtar pritet të merret nga kreu i qeverisë.
Vendimi pritet të shpallet brenda javës, duke i dhënë fund një procesi ku morën pjesë 14 kandidatë për drejtimin e institucionit më të lartë të rendit në vend.
Sipas burimeve nga fusha e sigurisë, të tre kandidatët konsiderohen figura me përvojë dhe integritet profesional, çka e bën garën mes tyre të fortë.
Megjithatë, drejtori i ri i Policisë së Shtetit do të përballet me sfida të rëndësishme, veçanërisht pas largimit të Ilir Proda. Një nga prioritetet kryesore mbetet forcimi i rendit dhe përballja me ndikimin e rrjeteve kriminale brenda strukturave të policisë.
Në këtë kontekst, vendimi i kryeministrit pritet me interes, pasi do të përcaktojë drejtimin e Policisë së Shtetit në një moment të ndjeshëm për sigurinë në vend.



