Ish-deputeti Myslim Murrizi nuk i ka kursyer kritikat ndaj situatës aktuale në Partinë Demokratike dhe ndaj sjelljes së anëtarëve të saj në forumet e brendshme.
Duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe pa doreza, Murrizi u shpreh se shumë prej zyrtarëve të PD-së, qofshin këta të zgjedhur vendorë apo deputetë, tregohen “trima” vetëm në rrjetet sociale, ndërsa në mbledhje partiake, heshtin dhe duartrokasin pa qendrim.
“Për çdo deklaratë të delirantëve politikë të PD-së, të zgjedhur vendorë apo deputetë, në Kryesi apo Këshill Kombëtar, që bëjnë ciu-ciu në Facebook për lajme portalesh, por që në mbledhjet e forumeve të PD-së ku bëjnë pjesë rrinë si të dhjerë e duartrokasin sa Berishën, sa Nokën, sa Palokën e sa Vokshin,” – u shpreh Murrizi.
Sipas tij, PD nuk mund të riparohet me postime në rrjete sociale, por me veprim konkret dhe qëndrime të forta brenda strukturave vendimmarrëse të partisë.
“PD nuk rregullohet me cicërima në FB, por me ngritje zëri aty ku është vendi dhe me qëndrime konkrete – jo me lëpirje kur keni interes dhe me mjau mjau kur mbaroni hallin,” shtoi ai, në një intervistë për RTSH.
Kjo deklaratë vjen në një moment ku PD vijon të jetë e ndarë mes fraksioneve, ndërsa retorika publike shpesh nuk pasqyron realitetin e vendimmarrjes së brendshme. Murrizi, i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë, ka qenë më herët deputet i PD-së dhe më pas një nga zërat kritikë të saj, shpesh në përplasje me lidershipin tradicional të partisë.