back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 21 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaTritol në Tiranë, hijet e drejtësisë në prapaskenë/ Shënjestër familja e ish-zv.kryeprokurorit

Tritol në Tiranë, hijet e drejtësisë në prapaskenë/ Shënjestër familja e ish-zv.kryeprokurorit

Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur kryeqytetin në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:20 në zonën e Selitës së Vogël, ku persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi tritoli në automjetin e shtetasit Dritan Jano.

Sipas të dhënave paraprake, mjeti ka qenë i parkuar në oborrin e banesës së Janos në momentin e shpërthimit. Si pasojë e eksplozivit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, kryesisht në automjet dhe në ambientin përreth, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autorët dyshohet të kenë qenë dy persona të maskuar, të cilët kanë lëvizur me dy automjete të ndryshme. Pas vendosjes së lëndës plasëse, ata janë larguar menjëherë nga vendngjarja, duke përfituar nga orari i vonë dhe qarkullimi i ulët në zonë.

Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht pak orë pas ngjarjes, duke konfirmuar shpërthimin dhe nisjen e hetimeve.
“Në datën 19.12.2025, rreth orës 03:20, në Selitë të Vogël, dyshohet se është hedhur një sasi lënde plasëse në automjetin e shtetasit D. J., rreth 39 vjeç, i cili ka qenë i parkuar në oborrin e banesës së tij. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Menjëherë pas shpërthimit, zona është rrethuar dhe janë kryer veprimet e para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendngjarjes, mbledhjen e provave materiale dhe verifikimin e kamerave të sigurisë në perimetrin përreth. Hetuesit po analizojnë çdo pistë të mundshme që mund të çojë në zbardhjen e autorësisë dhe motiveve të sulmit.

Burime pranë hetimit konfirmojnë se një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me rrethanat familjare të Dritan Janos. Ai është nip i Thoma Janos, ish-prokuror dhe ish-përgjegjës i sektorit të përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, një figurë e njohur e sistemit të drejtësisë shqiptare ndër vite. Po ashtu, Dritan Jano është bashkëshorti i Dorina Jahos, administratore e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, fakt që po konsiderohet si një tjetër pistë hetimi nga autoritetet.

Vetë Dritan Jano, në deklarimet paraprake për grupin hetimor, ka mohuar të ketë konflikte personale apo probleme që mund të lidhen drejtpërdrejt me ngjarjen. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur kërcënime të mëparshme dhe se nuk arrin të identifikojë persona që mund të kenë interesa për një akt të tillë.

Ndërkohë, hetuesit po analizojnë edhe mundësinë që shpërthimi të ketë lidhje indirekte me veprimtarinë e mëparshme të xhaxhait të tij, Thoma Jano, gjatë kohës që ka ushtruar funksione të rëndësishme në sistemin e drejtësisë dhe në strukturat e rendit publik.

Thoma Jano ka pasur një karrierë të gjatë në organet e drejtësisë. Në dhjetor të vitit 2019, ai është zgjedhur zëvendës i kryeprokurorit Olsian Çela. Më herët, pas vitit 1997, ai ka shërbyer si kreu i Prokurorisë së Tiranës, në periudhën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Arben Rakipi. Gjithashtu, gjatë qeverisjes së Fatos Nanos, Jano është emëruar zëvendësministër i Rendit Publik, me përgjegjësi për drejtimin e sektorit të hetimeve.

Në vitet kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Theodhori Sollaku dhe më pas nga Ina Rama, Thoma Jano ka ushtruar funksionin e prokurorit pranë këtij institucioni. Ndërsa më vonë, gjatë mandatit të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ai është emëruar në krye të sektorit të përgjimeve, një nga strukturat më sensitive të organit të akuzës.

Autoritetet po vijojnë hetimet në disa drejtime, duke mos përjashtuar asnjë pistë, nga konfliktet e mundshme personale, te lidhjet familjare dhe funksionet shtetërore të ushtruara nga persona të afërt me viktimën. Policia pritet të dalë me informacione të reja në orët apo ditët në vijim, teksa po intensifikohen përpjekjet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat