back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetBotaTrump emëron Chris Wright si Sekretar të Energjisë

Trump emëron Chris Wright si Sekretar të Energjisë

Presidenti i zgjedhur Donald Trump përzgjodhi zoti Chris Wright, themelues i një kompanie në fushën e naftës, për të drejtuar Departamentin e Energjisë, ndërsa administrata e tij e re vazhdon të marrë formë.

Ekipi i tranzicionit i zotit Trump njoftoi zyrtarisht këtë emërim të shtunën. Të premten, Presidenti i zgjedhur Trump njoftoi ngritjen e Këshillit Kombëtar të Energjisë, që do të drejtohet ish guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum, i propozuar për postin e Sekretarit të Brendshëm.

Në këtë rol zoti Burgum do të drejtojë një strukturë që shtrihet në të gjitha agjencitë e degës ekzekutive, të përfshira në çështje që lidhen me lejet për energjinë, prodhimin, shpërndarjen, transportin dhe rregulloret në këtë fushë, shprehej zoti Trump nëpërmjet një deklarate. Si kryetar i Këshillit Kombëtar të Energjisë, zoti Burgum do të ketë një vend në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha presidenti i zgjedhur.

Zoti Wright, drejtor ekzekutiv i kompanisë Liberty Energy me bazë në Denver të Kolorados, nuk ka përvojë politike dhe ka shkruar gjerësisht mbi nevojën për rritjen e prodhimit të energjisë nga burime jo të rinovueshme, për të nxjerrë njerëzit nga varfëria.

Prodhimi i naftës në SHBA arriti nivelin më të lartë që një vend ka prodhuar ndonjëherë gjatë administratës së Presidentit Biden dhe është e paqartë se sa do arrijë Sekretari i ri i Energjisë dhe administrata e ardhshme të shtojnë prodhimin e naftës.

Shumica e vendimeve për shpimin e naftës merren nga kompani private që punojnë në tokë që nuk është në pronësi të qeverisë federale.

Departamenti i Energjisë merret me diplomacinë energjetike të Shteteve të Bashkuara, administron Rezervën Strategjike të Naftës dhe drejton programe grantesh dhe huash për të avancuar teknologjitë e energjisë, siç është Zyra e Programeve të Huasë.

Sekretari gjithashtu mbikëqyr kompleksin e armëve bërthamore të SHBA-së, asgjësimin e mbetjeve të energjisë bërthamore dhe 17 laboratorë kombëtarë.

Kërkesa për energji elektrike në Shtetet e Bashkuara po shtohet për herë të parë në dy dekada, ndërsa po shtohet përdorimi i inteligjencës artificiale dhe automjeteve elektrike./VOA

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat