Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të mbështesë revokimin e licencave të transmetimit për dy nga rrjetet më të mëdha televizive në vend, ABC dhe NBC.
Sipas tij, këto media “janë tepër kritike ndaj tij dhe u shërbejnë interesave të demokratëve”, duke i konsideruar si pjesë të një fushate të gjerë kundër presidencës së tij.
Trump ka sulmuar shpeshherë mediat tradicionale amerikane, të cilat i cilëson “fake news” dhe “armiq të popullit”.
Deklarata e tij ka shkaktuar debate të forta, pasi licencat e transmetimit në SHBA rregullohen nga Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) dhe janë të mbrojtura nga Kushtetuta përmes lirisë së shtypit.
Ekspertët vlerësojnë se një masë e tillë është pothuajse e pamundur ligjërisht, por shërben si një mjet presioni ndaj mediave që raportojnë në mënyrë kritike për administratën e tij.
Ky nuk është rasti i parë që presidenti përplaset me ABC, NBC apo rrjete të tjera kombëtare. Edhe më herët, ai ka kërcënuar se do të “ndëshkojë” ato televizione që sipas tij “manipulojnë opinionin publik” dhe “fshehin të vërtetën” mbi arritjet e qeverisjes së tij.



