back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëTrump, mes frikës dhe shpresës: Rikthimi që shkund Amerikën dhe frikëson Evropën

Trump, mes frikës dhe shpresës: Rikthimi që shkund Amerikën dhe frikëson Evropën

Nga Baton Haxhiu

Me buzëqeshjen e tij të njohur, dikur cinike tashmë plot lumturi brenda, Trump doli me deklarata të shpejta mbi fitoren, dhe e shpalli atë në skenën e Mar-a-Lagos se “Amerika e bëri Trump-in sërish të madh”.

Kjo nuk ishte thjesht fitorja e një kandidati republikan; ishte një triumf për një lëvizje politike që ai e përshkroi si “më e madhja në historinë e Amerikës”.

Vance e quajti këtë “kthimi më i madh politik në historinë e Amerikës”.

Një koalicion në rritje: Nga votuesit e bardhë nëpër fshatra dhe deri te grupet minoritare

Analiza e të dhënave të votuesve që kanë treguar sondazhet në të gjitha mediat me renome, tregojnë një pasqyrë shume komplekse, që ndoshta surprizoi shumë prej ekspertëve të sondazheve.

Trump nuk u mbështet vetëm nga baza e tij e zakonshme – ajo e votuesve të bardhë, me arsim të ulët dhe nga zonat rurale – por gjithashtu e përforcoi mbështetjen nga grupet hispanike dhe afrikano-amerikane.

Exit poll-et treguan që afro 35 % e votuesve hispanikë dhe deri në 20 % e votuesve afrikano-amerikanë përkrahën Trump-in, një shifër që, përtej ndikimit, përmbysi supozimet tradicionale të demografisë elektorale republikane.

Kjo mbështetje demografike e zgjeruar për Trump-in është sinjal i një ndryshimi afatgjatë brenda bazës elektorale republikane.

Aty ku republikanët si McCain dhe Romney nuk kishin mbështetje të fortë nga këto komunitete, Trump e ndërtoi suksesin mbi një koalicion që përfshinte votues, siç quhen votues me jakë blu dhe minoritetet që janë rritur duke ndjerë pabarazi ekonomike dhe pasiguri politike.

Trump e kanalizoi këtë zemërim ndaj demokratëve, që sipas tij, nuk arritën të përmirësojnë kushtet ekonomike për votuesit e zakonshëm, shpjegojnë analistët në arsyetimet e tyre.

Ndikimi ekonomik dhe kujtesa e viteve para COVID-it

Në një sondazh të ABC News më shumë se 60% e votuesve identifikuan ekonominë si çështjen më të rëndësishme për zgjedhjen e tyre.

Kujtimet nga viti 2019, kur ekonomia lulëzonte dhe papunësia kishte rënë në nivele rekord, mbeten të gjalla për shumë amerikanë, sidomos në kontekstin e inflacionit të rritur nën presidencën e Biden-it.

Për shumë familje, si një çift në Teksas, ngritja e çmimeve të produkteve bazë ishte një faktor vendimtar për të zgjedhur Trump-in; një artikull i thjeshtë, si pula e ngrirë, kishte arritur dyfishin e çmimit që kishte disa vite më parë thuhet ne mendimet e qytetarëve që transmetohen nga gjuha dhe artikulimi i analistëve.

Trumpizmi tani si një normë e re

Gjatë fushatës, thuhet në analizat e ekspertëve, Trump u përmbajt nga teprimi i temave ekstreme dhe iu kthye mesazhit të thjeshtë: Demokracia është në krizë dhe republikanët janë të vetmit që mund të sjellin stabilitet.

Kur fliste për krizat e brendshme, ai bëri dallim mes retorikës dhe veprimeve, duke theksuar se ai, ndryshe nga administrata aktuale, do të përqendrohej tek çështjet që rëndojnë amerikanët në përditshmërinë e tyre.

Duket se Amerika ka bërë zgjedhjen e saj.

Demokratët, të zhytur në ideologji liberale, nuk arritën të kapnin mendësinë e përditshme të popullsisë dhe përfunduan duke humbur terren jo vetëm në zonat rurale, por edhe në shtresa të caktuara të minoriteteve që zakonisht ishin mbështetësit e tyre.

Koalicioni i ri republikan përfshin votues të bardhë dhe grupe minoritare që përndryshe do të kishin ndjekur platformën liberale.

Kthimi i Trump-it shënon një pikë kthese.

Amerikanët, të lodhur nga një Qeveri që e shihnin si të largët dhe e papërgatitur për të përballuar sfidat ekonomike të një shoqërie në ndryshim, zgjodhën të kthejnë atë që për shumë prej tyre mbetet shpresa e fundit për një Amerikë të fortë dhe të qëndrueshme.

Rikthimi që shkund Amerikën dhe frikëson Evropën

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë mendohet të jetë vendimmarrës për një Evropë refuzuese ndaj botës Trump.

Kjo fitore përbën një test të fortë për marrëdhëniet transatlantike.

Për disa në Amerikë, ai është simboli i shpresës për kthimin e “Amerikës së fortë”, që mbron interesat e saj pa kompromis.

Por në Evropë, do të ngjallet frikë për izolimin e Shteteve të Bashkuara nga politika e bashkëpunimit dhe për forcimin e lëvizjeve populiste.

Udhëheqësit evropianë përballen me pasiguri mbi qëndrueshmërinë e NATO-s dhe mbi gatishmërinë e Amerikës për të mbështetur politikat e përbashkëta në sigurinë dhe klimën.

Trump nuk është thjesht një president për SHBA-të; ai është një faktor që do të ndryshojë ekuilibrat në skenën globale.

Të gjithë kanë një bindje se do ta ndryshoi jo vetëm botën amerikane, por edhe do ta bëj historinë.

Për një njeri si unë duket e pabesueshme, të tjerët janë të bindur se ai do shkoi përtej Jaltës.

PS; Në pritje të rezultateve ishte edhe ish- presidenti i Kosovës dhe miku i familjes së Trump-it, Behgjet Pacolli.

Shqiptarët tashmë përfaqësohen në afërsinë biznesore me familjen Trump përmes Shefqet Kastratit dhe Behgjet Pacollit.

Të dy të lidhur me rrugën e veçantë biznesore dhe me projekte të veçanta dhe konkrete.

Është hera e parë që shqiptarët arrijnë kaq afër në botën amerikane të vendimmarrjes.

Shkëlqim Devolli, një biznesmen tjetër nga Kosova ka një lidhje po ashtu të fortë me Trump. Tiffany Trump dhe Michael Boulos, e bija dhe dhëndëri kanë një afërsi prej kohësh.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat