back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 31 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetTuneli i Murrizit/ PD kërkon përgjegjësi politike dhe penale

Tuneli i Murrizit/ PD kërkon përgjegjësi politike dhe penale

Drejtuesi i Departamentit të Infrastrukturës në Partinë Demokratike, Besnik Dervishi, ka denoncuar sot në një deklaratë për mediat gjendjen kritike të Tunelit të Murrizit, i cili u hap për qytetarët pak para zgjedhjeve të vitit 2025. Sipas tij, tuneli ka pësuar krisje dhe çarje pa kaluar as një vit nga hapja, duke konfirmuar se vepra është realizuar jashtë standardeve teknike dhe të sigurisë.

“Ky tunel rrezikon të shembet. Këmbanat e alarmit kanë rënë shumë më herët, gjatë ndërtimit dhe pas hapjes, kur inxhinierët e departamentit tonë deklaruan se kjo rrugë dhe ky tunel ishin jashtë standardit dhe rrezikonin jetën e qytetarëve. Ky alarm profesional u injorua,” tha Dervishi.

Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar zyrtarisht Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) për informacion mbi Rrugën e Arbërit. Sipas përgjigjes së ARRSH-së, Tuneli i Murrizit është pjesë e segmentit nr. 3 të rrugës dhe “nuk është dorëzuar ende pranë ARRSH për ndjekjen e procedurave të kolaudimit”. Kjo do të thotë se tuneli dhe segmenti i rrugës janë hapur për përdoruesit pa përfunduar kolaudimi dhe pa marrë dorëzimin formal.

Rruga e Arbërit, me gjatësi prej 74 km, ka nisur ndërtimin në vitin 2005, ndërsa deri në vitin 2013 ishin përfunduar vetëm 25 km plotësisht dhe 15 km në masën 80%. Projekti, i cili fillimisht kishte një kosto prej 170 milionë eurosh, u përfundua më pas përmes një kontrate PPP me vlerë 267 milionë euro, ndërsa me shtesat e realizuara gjatë viteve qytetarët kanë paguar mbi 450 milionë euro.

Dervishi theksoi se përfituesi i PPP-së, i njëjti subjekt që ndërtoi edhe tunelin e Llogarasë, është përgjegjës për dështimin e dy tuneleve strategjike, duke e cilësuar këtë jo si rastësi, por si një model të “vjedhjes së organizuar dhe keqorganizimit për qytetarët”.

Ai deklaroi se Tuneli i Murrizit nuk është një incident teknik, por pasojë e procedurave korruptive, PPP-ve të favorizuara për oligarkë, mungesës së kontrollit shtetëror mbi buxhetin dhe kapjes së shtetit nga interesa private. Dervishi kërkoi përgjegjësi politike dhe penale për këtë model qeverisjeje, duke e cilësuar një vepër të ndërtuar për fushatë dhe që rrezikon jetën e qytetarëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat