Nga fshati turistik i Linit, ku u përmbyll faza e parë e gërmimeve në sitin arkeologjik të Buqezës, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, dha një mesazh të qartë për vijimin e mbështetjes shumëdimensional ndaj Shqipërisë, duke përgëzuar bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e arkeologjisë.
“Për ne është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i ekspertëve nga Universiteti i Bernës me arkeologët shqiptarë. Janë bërë zbulime të rëndësishme për historinë e lashtë të liqenit të Ohrit. Ky bashkëpunim është një model i shkëmbimit të njohurive dhe trajnimeve që nxit edhe potencialin e turizmit kulturor në rajon”, u shpreh Huber gjatë vizitës në sitin arkeologjik të Buqezës.
Asnjë shkurtim në ndihmën për Shqipërinë – përmbyllet vetëm një projekt i gjatë
Ambasadorja komentoi gjithashtu lajmet për ndërprerjen e mbështetjes zvicerane në sektorin e bujqësisë, duke sqaruar se bëhet fjalë për përmbylljen e një projekti shumëvjeçar, jo për shkurtim të financimeve.
“Nuk ka një reduktim të ndihmës për Shqipërinë. Projekti për agrikulturën, punësimin e të rinjve dhe turizmin ka zgjatur 12 vite dhe tani ka përfunduar siç ishte planifikuar. Ne vazhdojmë të jemi një ndër donatorët më të mëdhenj në vend në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional dhe ekonomik,” – deklaroi ambasadorja.
Ajo sqaroi gjithashtu se aktiviteti në Buqezë nuk është financuar drejtpërdrejt nga ambasada, por është pjesë e një bashkëpunimi të universiteteve dhe institucioneve kërkimore.
Ndër të tjera, Huber theksoi përkushtimin e Zvicrës për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian:
“Zvicra nuk është anëtare e BE-së, por e mbështet qartazi integrimin e Shqipërisë si një prioritet të qeverisë shqiptare. Përmes programeve tona të zhvillimit, ndihmojmë forcimin e institucioneve dhe ndihmojmë vendin të përmbushë standardet e BE-së,” – u shpreh ajo.