Katër fshatra të Korçës, konkretisht: Dardha, Arrëza, Sinica dhe Nikolica do të mbështeten për të përmirësuar ofertën e tyre turistike dhe posaçërisht në segmentin e aventurës. Në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u njoftua procedura që kanë në objekt të kontratës këtë objektiv dhe për të cilën subjektet e interesuar do të shprehin interesin.
Bëhet fjalë për kontratën “Përmirësimi i ofertës turistike të zonave natyrore në rajonin e Korçës, përmes rritjes së aksesueshmërisë dhe infrastrukturës së turizmit të aventurës, në fshatrat Dardhë, Arrëz, Sinicë dhe Nikolicë”.
“Projekti që do të zhvillohet në fshatrat Dardhë, Arrëz, Sinicë dhe Nikolicë, që bëjnë pjesë në Bashkinë e Korçës. Klima e zonës përreth qytetit të Korçës është kontinentale me ndikime mesdhetare. Rajoni i Korçës ka një klimë karakteristike, mjaft të ndryshme nga klima bregdetare, për shkak të lartësisë dhe pozicionit të tij në pjesën lindore të Shqipërisë, në një terren malor dhe kodrinor” thuhet në përshkrimin e rajonit që do të përfshihet në këtë ndërhyrje duke shprehur kështu edhe potencialin që ka zona.
Projekti “Infrastruktura dhe Turizmi në Shqipëri” financohet nga Bashkimi Evropian përmes asistencës teknike dhe granteve investuese me një vlerë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga një hua sovrane plotësuese e ofruar nga BERZH për Qeverinë e Shqipërisë. Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si agjenci zbatuese.
Ndërhyrja në rajonin e Korçës nuk është e vetmja. Projekti ka pasur vazhdimisht pjesë të tij rajone të ndryshme që janë në faza të ndryshme të zbatimit. Kështu ndër të tjera mund të përmendim ndërhyrjen në rrugët turistike të Velipojës, përmirësimi i infrastrukturës dhe transportit në Bogë, ndërhyrja në Parkun Kombëtar të Tomorit./ N.Maho