back to top
20.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaU ekstradua nga Dubai/ Lihet në burg Florenc Çapja

U ekstradua nga Dubai/ Lihet në burg Florenc Çapja

Gjykata e Posaçme la në qeli Florenc Çapjan, të shumëkërkuarin e drejtësisë, i cili u ekstradua më 2 maj nga Dubai drejt Tiranës për llogari të autoriteteve shqiptare.

Çapja u la në masën “arrest në burg” për veprën penale “sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim në dëm të Sokol Sanxhaktarit.

Përpara togave të zeza, Çapja i cili ishte në arrati prej 7 vitesh, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen ku është tentuar vrasja e Sokol Sanxhaktarit, duke i kërkuar prokurorisë të gjejë prova për të vërtetuar akuzën e ngritur ndaj tij.

Mbrojtësi ligjor i Çapjas paraqiti në sekretari një procesverbal të një seance të procesit “Plumbi i Artë”, ku ka dëshmuar bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani. Procesverbali përmban disa pasazhe në të cilat është përmendur Florenc Çapja nga bashkëpunëtori i drejtësisë.

Përveç ekspozimit të tij në dosjen “Plumbi i Artë”, Florenc Çapja është dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë për vrasjen e Gentjan dhe Nezir Beqirit, ngjarje e shënuar në 2012 në Elbasan.

Ai po ashtu akuzohet edhe për vrasjen e oficerit Fadil Mema në vitin 2006. Gjykata e Elbasanit pushoi çështjen ndaj tij me argumentin se nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje, vendim që u la në fuqi edhe nga gjykata e Durrësit.

Vendimit iu bë rekurs nga prokuroria në Gjykatën e Lartë, teksa me vendim të shkallës së tretë të gjyqësorit kjo çështje është rikthyer sërish për rigjykim në Elbasan.

Njoftimi i GJKKO-së:

Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
me datë 03.05.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrje në pyetje
dhe verifikim i kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit dhe nevojave
vijuese të caktimit të kësaj mase për të pandehurin Florenc Çapia”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në
nenet 228, 229, 230, 238, 248, 249 dhe 466 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 45, datë
05.05.2025, vendosi:

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues
“arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin
Nr. 42, datë 17.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit Florenc ÇAPIA, i biri
i F. dhe i Xh., i datëlindjes 13.03.1981, me shtetësi shqiptare, lindur dhe banues
në ****, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me gjendje civile beqar, me gjendje
gjyqësore i padënuar, I AKUZUAR: Për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i
kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit S.S, kryer
në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar
kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i
strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 80, 28/4, 333/a/2
dhe 334 të Kodit Penal.

Për ekzekutimin e ketij vendimi, ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët B.D dhe D.M.

Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit nga palët, brenda pesë ditëve, në
Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke
filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat