back to top
13.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Mars, 2025
spot_img
KreuAktualitetUjë, drita, pensione/ Tre mandate në pushtet Rama vijon me të njëjtat...

Ujë, drita, pensione/ Tre mandate në pushtet Rama vijon me të njëjtat premtime

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me asambletë socialiste të disa njësive në Tiranë.

Në fjalën e tij, Rama tha se më parë, Shqipëria ka pasur ujë me orare.

Sipas kryeministrit, me ardhjen e PS-së në qeveri, shumë zona të Tiranës, si urbane, edhe ato rurale kanë ujë 24 orë të ditës. Kryesocialisti thekson se vazhdon puna për të pasur ujë 24 orë në 7 ditë të javës në të tjera zona rurale.

Rama shtoi se vendi ynë nuk do të blejë më energji nga jashtë, por madje edhe do t’u shesim vendeve të tjera falë marrëveshjes Shqipëri-Itali-Emiratet Arabe për linjën nënujore të transmetimit të energjisë.

Fjala e kryetari të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:

Mirëmbrëma të gjithëve dhe shumë faleminderit për praninë. Më vjen shumë mirë që na jepet mundësia që të flasim drejtpërdrejtë dhe kjo është një nga të mirat e periudhave përpara zgjedhjeve, kur misioni i përbashkët bëhet edhe fizikisht i përbashkët dhe pavarësisht se ku jemi të angazhuar dhe si jemi të angazhuar në të përditshmen, lidhemi me njëri-tjetrin për të nxjerrë nga ndeshja e radhës rezultatin pozitiv të radhës.

Rrethanat e krijuara na kanë hapur një dritare mundësie që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë, që brenda dy viteve të ardhshme ne të mbyllim negociatat për anëtarësim, në bazë të planit që kemi bërë me Komisionin Europian dhe pastaj në dy vitet e tjera të bëjmë ratifikimin e anëtarësimit të Shqipërisë në 27 parlamentet e vendeve anëtare dhe me votën e 11 majit ta bëjmë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.

Kjo është mundësia historike që kemi sot dhe për këtë arsye ju të gjithë, ne të gjithë dhe çdokush që është në një pozicion drejtues dhe këtu kam parasysh kryetarët e organizatave duhet të ndjejë dhe të kuptojë se ky është një mision patriotik, nuk është thjesht çështja “Hajde se do votojmë për PS-në”, nuk është thjesht çështja “Hajde se ne jemi me Ps-në dhe për PS-në do votojmë”, nuk është çështja “Po mirë se nuk kemi për kë votojmë tjetër e do votojmë për PS-në”.

Jo, çështja është që do votojmë për PS-në sepse vota për PS-në është vota për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Të tjerët harrojeni, harrojeni nuk ndodh.

Do votojmë për PS-në sepse vetëm nëse votojmë për PS-në masivisht, ne kemi mundësi që të bëjmë realitet të ditëve tona, atë që deri dje dukej sikur do ishte realitet pas vdekjes sonë sepse në fillim fare, kur dolën të gjithë në rrugë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa, e duam Shqipërinë si gjithë Europa” të gjithë kujtuan se mjaftonte të rrëzohej regjimi i kaluar dhe u bëmë Europë.

Rrugës pamë që tjetër gjë është të shkosh në Europë individualisht, tjetër gjë është të bëhesh Europë si shtet, tjetër gjë është të marrësh të drejtën që të udhëtosh ku të duash në Europë si shqiptarë e tjetër gjë është të jesh pjesë e Europës si europianë me të gjitha liritë e të drejtat, tjetër gjë është të shkosh në Europë e të të shohin nga lart-poshtë dhe tjetër gjë është të jesh në Europë e t’i shohësh drejtpërdrejtë në sy.

Janë dy gjëra krejt të ndryshme dhe ju e dini shumë mirë këtë.

Këtu ka njerëz që kanë qenë në emigracion si puna ime, e kanë parë mirë se çfarë ka qenë historia e tyre si shqiptarë në emigracion dhe në rastin më të suksesshëm prapë shqiptarët shqiptarë.

Këtu ka njerëz që kanë njerëzit e tyre në emigracion dhe e dinë shumë mirë këtë punë sesi është por mbi të gjitha, të gjithë ne së bashku në emigracion ose jo e dimë shumë mirë se ç’do të thotë të lindësh dhe të jetosh në një vend të poshtëruar me qindra vjet. Të poshtëruar nga të huajt, të poshtëruar dhe nga të vetët madje unë them më shumë nga të vetët sesa nga të huajt, por kjo është temë tjetër dhe ky është momenti për të marrë hak për të gjitha dhe për t’i dhënë me hakun atyre që sot, lavdi Zotit, janë akoma gjallë dhe mbi të gjitha atyre që janë fëmijë sot.

Nuk mund të bëjmë ne gjë më të madhe për fëmijët tanë sot, sesa t’u japim pasaportën europiane. Nuk mund të bëjmë ne gjë më të madhe për të rejat dhe të rinjtë tanë sot, sesa ta çojmë flamurin kombëtar në rresht me flamujt e tjerë dhe t’i japim një mundësi çdo vajze dhe çdo djali shqiptar që të jetë europian i barabartë me çdo francez, me çdo gjerman, me çdo anglez, me çdo polak e me këdoqoftë dhe nuk mund të bëjmë dot ne gjë më të madhe me Partinë Socialiste sesa ta marrim atë emrin “Albania” dhe të shkojmë ta vendosim atje në tavolinë dhe të themi “Ne jemi të barabartë si ju prandaj historia e të parit nga lart-poshtë i takon të kaluarës njëherë e përgjithmonë”. 

Ky është momenti historik për ta bërë këtë. Të gjitha të tjerat kalojnë, çdo gjë tjetër. Fjalët i merr era, ngjarjet harrohen, ato të përditshmet, nesër ka ngjarje të tjera, por kjo është historike, kjo është ngritja e dytë e flamurit dhe ne që jemi këtu jemi ata që e kemi këtë mision. 

Jam i sigurt që askush këtu nuk do të ndalonte së foluri pa i thënë disa gjëra që mund të mos na vijë mirë t’i dëgjojmë, jam i sigurt për këtë.

Jam i sigurt që këtu të gjithë kanë, jo vetëm vërejtje dhe kritika për të bërë, por kanë dhe të drejtë në vërejtjet dhe kritikat që mund të bëjnë, por ama, nga ana tjetër, duke qenë drejtues të Partisë Socialiste atje në qendrën tuaj të votimit, ju më mirë se çdokush tjetër duhet që nga njëra anë, tua njihni njerëzve aty rrotull të drejtën që kanë për të pasur ankesa, por nga ana tjetër t’jua kujtoni mirë atyre të gjitha ato gjëra që janë bërë sepse janë bërë gjëra më shumë, në 10 vite janë bërë më shumë gjëra sesa në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku.

Po ju sjell një shembull shumë të thjeshtë, pikërisht për një nga gjërat për të cilën njerëzit ankohen, ankohen dhe shumë prej tyre ankohen nga jashtë shtetit sepse nuk e dinë fare që gjërat këtu kanë ndryshuar në njëfarë mënyrë në mos plotësisht, por ankohen dhe këtu brenda. 

“Nuk ka ujë në Tiranë”.

Kjo është e pavërtetë, është shumë e pavërtetë. Në Tiranë sot në 67% të territorit të bashkisë së Tiranës dhe bashkisë së re të Tiranës, nuk flasim për pjesën e vjetër, 67% ka 24 orë ujë. Në pjesën tjetër ka 17 orë ujë mesatarisht, por nuk ka pasur kurrë, ja ku është Qefalia i madh se ky i vogli është rritur me ujin e Kujtimit. Ja ku e keni Kujtimin, pyeteni sepse Kujtimi është bukë e vjetër. Pyeteni kur ka qenë Kujtimi i vogël ka pasur ujë 24 orë në zonën e Dajtit? Ka pasur ujë këtu 24 orë, këtu ku jemi ne? Jo 24, por ka qenë me orar në mëngjes, në drekë dhe në darkë, historikisht, dhe kështu ka qenë e gjithë Shqipëria. Nuk ka pasur ujë 24 orë në kohën e komunizmit, është përrallë. 

Ka pasur ujë në zonat urbane, por në fshat harroje se ka patur 24 orë ujë.

Madje, madje, jo vetëm s’ka pas 24 orë ujë, por në shumë zona ka pas një çezmë të përbashkët për lagjen që shkonin të gjithë atje dhe mbushnin ujin në radhë dhe flas këtu për vitet ’80, nuk flas për kohën mbas luftës, sepse të ndërtosh një sistem të tërë ujësjellësi është të ndërtosh një shtet më vete dhe atyre që thonë “po mirë, akoma për ujin flisni ju, si s’ju vjen turp”? Thonë dhe “si s’ju vjen turp”, domethënë këtu duhet të të vijë turp, edhe kur bën punë sipas disave. I them që, po, flasim akoma për ujin, po, sepse ne kemi vetëm një dekadë në qeveri dhe kur ne kemi ardhur në krye të këtij vendi, ka pasur vetëm katër zona. Uji ndahet me zona në Shqipëri. Ka pasur vetëm katër zona urbane me 24 ujë dhe këtu në Tiranë, kur ne kemi ardhur në qeveri, ka qenë vetëm një zonë e vogël urbane në 24 orë. Sot janë 43 zona urbane. Katër zona urbane me 24 orë ujë nga të gjitha vitet, përfshi dhe komunizmin përpara, që kemi trashëguar me 100 vjet shtet. 

Në dhjetë vite punë, 43 zona urbane dhe 98 zona rurale kanë ujë 24 orë. Dhe puna për ujë 24 orë vazhdon, vazhdon, vazhdon! 

Ky është realiteti i punës. Nëse do ta bënim mbledhjen këtu, do ta bënim me gjenerator tani nuk do kishim drita. Do kishim gjeneratorin që do na mbante iso dhe po të dilnim te blloku sot në këtë orë vetëm 10 vite përpara, do ecnim në trotuar duke fol me gjeneratorët. Dhe në atë kohë 50%  e miletit nuk paguanin. Sot paguajnë 100%.

Tani ne ulim çmimin e energjisë, hera e parë nga 1991 që ulet çmimi i energjisë, nuk rritet. Hera e parë! Dhe ndërkohë që ne kemi barazuar çmimin në atë kohë që ishte ulje për një pjesë, por ulje e përgjithshme është hera e parë që bëhet. “Sa e a ulet, e ulet me një lek, po si s’ju vjen turp, e ulet me një lek, sikur çfarë bëtë”. Po ne nuk e ulëm një lek në 1000 lek. Ne ulëm një lek në 9 lek, tani një lek në ekzaktësisht në 9.5 lek është 10.5% pra, shko pra merre një mall sot të ulur me 10.5 % dhe thuaj shitësit “nuk e dua, se nuk e ke ulur, se nuk është gjë”. Është gjë dhe është që ç’ke me atë punë. Dhe pse e ulëm? E ulëm sepse kemi ndryshuar komplet qasjen dhe kemi ndryshuar komplet përmbajtjen e gjithë sektorit.

Një milion shqiptarë konsumatorë klientë të OSHE-së paguajnë dhjetë 10.5% më pak energjinë elektrike sot.

Ndërkohë, janë disa që thonë: S’ju vjen turp. Se ne nuk e di, për çdo gjë do të na vijë turp. “S’ju vjen turp, Shqipërisë ia ka dhënë Zoti dritat”. Akoma se kanë marrë vesh që dritat nuk t’i jep Zoti, t’i jep OSHE-ja. Edhe OSHE-së ia jep KESH dhe KESH-it ia jep hidrocentrali dhe hidrocentralit ia jep uji dhe ujin ta sjellë Zoti kur qan shumë, por po nuk qau Zoti dhe s’ka ujë ti nuk ke drita. Prandaj duhet të dalësh jashtë shtetit, edhe duhet ta blesh e ta sjellësh këtu energjinë për dritat dhe kur Zoti qan gjithë vitin ne arrijmë të prodhojmë 75 % të nevojave, 25 % duhet të dalim ta blejmë jashtë. Kur Zoti qesh më shumë se ç’duhet dhe s’ka shi ne shkojmë deri në 35 % blerje jashtë. Pse? Sepse trashëguam një sistem vetëm me ujë. Dhe çfarë po bëjmë ne? Jemi mbi 10 % sot të kapacitetit të përgjithshëm me diell, do shkojmë 30 dhe ajo që patë  me presidentin e Emirateve, ajo vizita i vuri vulën marrëveshjes për lidhjen me kabullin nënujor të transmetimit të energjisë me Italinë. Dhe për një investim masiv të përbashkët të Emirateve dhe të Republikës së Shqipërisë në prodhimin e energjisë diellore këtu në Shqipëri, që ne do të na bëjë në 2030-ën, jo vetëm që të jemi 100 % të pavarur dhe të mos kemi nevojë për asnjëri. Le të plasi luftë, le të bëjë çfarë të dojë i larg qoftë X dhe Y, ne energjinë nuk ia shtrimë më dorë njeriu dhe nuk e blejmë më nga jashtë, sepse do të prodhojmë të gjithën këtu për nevojat tona. Por do kemi energji dhe për t’i shitur tjerëve, falë asaj marrëveshje. Dhe për herë të parë në histori, do të jemi të pavarur në energji.

Sot biznesi i vogël është i vetmi biznes në rajon që ka zero taksë. Dhe jo vetëm që ka zero taksë, po kur ne e morëm detyrën, biznesi i vogël quhej biznesi nga 5 – 8 milionë, domethënë në atë kohë, le të themi 60 mijë euro. Sot është deri 140 mijë euro. 140 mijë euro xhiro, ti nuk paguan asnjë taksë. Zero! Paguan TVSH mbi 100 mijë euro, po por 100 mijë euro s’ke as TVSH.

Dhe ndërkohë, le të çohet njëri dhe thotë që unë e dija që në vitin 2024, paga mesatare në sektorin publik do shkonte 930 euro. Nuk besoj se çohet njeri, thotë po e dija sepse as ne dhe asnjë parti politike tjetër, edhe nga ato që s’kanë gjë në dorë dhe e dinë që s’do kenë gjë në dorë dhe i premtojnë të gjitha se s’do ia kërkojnë njeri llogari, se në fund s’do kenë gjë në dorë, nuk e kishin këtë objektiv. Dhe ne e kemi kapërcyer objektivin tonë dhe paga mesatare sot në sektorin publik është 930 euro.

950 euro paga mesatare e mësuesve në Shqipëri sot. Por nuk është vetëm kaq. Kur ne morëm detyrën, të të gjitha pagat, edhe më të ulëtat fare e kishin taksën 10%.

Sot, 57 % e pagave s’kanë taksë fare, zero.

Kur ne morëm detyrën, pastruesja në kryeministri paguante 10 % taksë, njësoj si kryeministri. 

Sot, ajo nuk paguan, e ka zero. Ndërsa kryeministri e ka mbi 10% dhe taksa mbi 10% fillon në 1300 euro pagë. Ndërkohë që, deri aty është 4 deri në 10 %. Po mirë, çfarë domethënë kjo? Që të kuptojmë se çfarë domethënë kjo, se duket sikur “a më mirë për shtetin, punë e madhe për shtetin e ka në dorë”. Jo, kjo domethënë që çdo vit duke hequr atë taksë që kishin ata, ne i kemi lënë njerëzve nga paga dhe këtu flasim për sektor publik, sektor privat bashkë, i kemi lënë 140 milionë euro në vit, që nuk i ka marrë shteti, ia ka lënë në xhep njerëzve. 140 milionë euro në vit në 10 vjet janë 1.4 miliard euro që shteti ka thënë, “mbajini ju për familjet tuaja, se nuk do t’i marrim ne për buxhetin e shtetit”.

Besoj që këto janë gjëra domethënëse, edhe pse kur vjen puna tek ekonomia, është normale që të gjithë thonë ka dhe më mirë, patjetër. Unë jam shumë i vetëdijshëm që, jo vetëm ka dhe më mirë, po duhet bërë dhe më mirë.

Jam shumë i vetëdijshëm edhe për debatin e vazhdueshëm që bëhet për pensionistët, por ama, kini parasysh që nëse ne bëjmë me pensionistët gabimet që u bënë në të kaluarën, ne nuk do ta bëjmë detyrën tonë karshi fëmijëve tanë dhe do tua u lëmë fëmijëve në kurriz atë që, ata në të kaluarën dhe kur flas të kaluarën, flas për kënetën që të keni akoma sot nëpër çdo fshat, ulluqet e kënetës bënë, kur nxorën në pension masivisht një dynja të tërë se i vunë zjarrin fabrikave e uzinave e gjithë industrisë që ishte atëherë, i vunë flakën edhe i vunë tymin gjithë industrisë ushtarake që po ta kishim, po të ishim kujdesur atëherë, sot do kishim një komplet tjetër bazë dhe nuk do rrinim të shikonim vëndet e tjera, se sa përpara nesh janë, po dhe aty do t’i kapim.

Nxorën në pension njerëzit 40 vjeç e lart. Tani, në momentin kur ti merr gjysmën e popullit dhe nxjerr në pension, dhe i thua dil dhe na, ke këtë pensionin kaq dhe pastaj mban me dhjetëra vite gjithë pensionistët me tavan dyqind e njëzetë mijë lekë, pavarësisht se kush ka paguar sigurime, kush s’ka paguar sigurime, ti faktikisht e para, bën një padrejtësi të madhe në raport me ata që kanë paguar sigurime; e dyta, ti i hap popullit dhe vendit tënd këtë problem që edhe sot e gjithë ditën ne e kemi mes tonë dhe nuk duhet të biem në tundimin që ta zgjidhim siç e zgjidhën ata, duke thënë “hajt se po i japim ca lekë ekstra” sepse pastaj do t’ia lëmë fëmijëve tanë, po këtë hall nuk funksionon, por ama nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm që pensionistët kanë nevojë për më shumë mbështetje sepse ekonomia rritet, pagat rriten, çmimet rriten dhe duhet të kenë më shumë mbështetje dhe prandaj e para, i kemi dhënë një bonus që ne, as nuk mund ta imagjinonim deri disa vite përpara Kur ne filluam të japim bonuset, bonusi ishte tre mijë lekë të reja. E bëmë pesë mijë lekë të reja. Tani kemi kapërcyer në 150 euro për ata që kanë një pagë që kanë një pension deri në 200 euro dhe 100 euro për ata që kanë një pension mbi 200 euro në fund të vitit, dhe tani kemi bërë bonusin e dytë. 

Po të dyja këto bonuse, miqtë e mi, janë 160 e kusur milionë euro nga buxheti i shtetit. 160 e kusur milionë euro nuk janë pak. 160 milionë kusur euro për pensionistët, 140 milionë euro që nuk i marrin fare nga paga për t’ i lënë të njerëzit çdo vit. Zero taksa e biznesit të vogël me xhiro deri në 140 mijë euro, të gjitha këto janë para që i lihen njerëzve që të fuqizojnë veten e tyre dhe që të kenë për konsumin e tyre, por nga ana tjetër, i hiqen buxhetit për të mos ia dhënë mundësinë që të bëjë disa gjëra që mund t’i kishte bërë.

Ne nuk jemi dakord që t’ia marrim gjithë bizneseve të vogla me taksë, sot jo deri në 2029 e kam thënë, zero, do jetë zero për gjithë ata që vetëpunësohen dhe punësojnë të tjerë, se ata janë aleatët tanë më të mëdhenj, biznesi i vogël. Biznesit të madh ia kemi vënë 15 %, dhe nga ana tjetër kemi bërë në Shqipëri diçka që nuk është bërë kurrë me shëndetësinë.

Flitet mbarë e mbrapë për shëndetësinë, për spitale të tjerë, nuk them unë që s’ka probleme, por ama duhet të jesh, duhet të jesh totalisht i verbër. Po jo i verbër nga ata që Zoti i ka privuar nga sytë, po i verbër nga ata që Zoti i ka dhënë dy sy, por i ka bllokuar trurin e vogël dhe prandaj sytë nuk funksionojnë me hundën zhytur në kënetë, që të flasësh sot për shëndetësinë dhe të thuash më keq s’ka qënë ndonjëherë, 53 spitale në një dekadë kemi bërë ne, fringo, 53 spitale, 10 spitale janë ndërtuar që nuk ekzistonin fare. Gjithë të tjerët janë ribërë nga e para. Mund të themi ça të duam ne për urgjencën, por ne s’kishim urgjencë fare. Ku kishte urgjencë në Shqipëri?

Sot kemi Urgjencën Kombëtare dhe nëse ato autoambulancat e mëparshme, kur niseshin në ajër kur kishte naftë, do ishin 45 minuta deri në 60 minuta mesatarisht që të vinin, sot urgjenca e ka 10 deri në 15 minuta mesataren e vet dhe kjo nuk është diçka që është thjeshtë e thënë.

I ka të gjitha thirrjet urgjenca, i ka të regjistruara. Në qoftë se ti e merr urgjencën sot, ti zërin tënd e ke tek urgjenca, minutin që e ke marrë e ke tek urgjenca, edhe kohën që të ka ardhur autoambulanca, e ke atje të regjistruar tek urgjenca dhe kemi pasur faktikisht një situatë katastrofike me ca makina të lodhura, ndërkohë që sot ne kemi 320, automjete urgjence me të gjithë aparaturat jetë-shpëtuese brenda dhe me të gjitha ekipet.

A ka probleme shëndetësia jonë?

Patjetër, nuk diskutohet, por ama edhe shëndetësia është në një faze, ku me ndërhyrjet e reja dhe me përmbushjen e gjithë atyre objektivave të reformës në 2030, do jetë një sistem shëndetësor që do t’i plotësojë të gjitha nevojat e shqiptarëve këtu. Dhe kemi në plan edhe disa spitale të reja të nivelit më të lartë, edhe me Italinë, edhe me Emiratet e Bashkuara dhe po ju them që nuk do ndodhë më përveçse kur do duan vetë po kjo është çështje tjetër, po nuk do ndodhi më që nga halli dhe nga pamundësia, këtu shqiptarët shkojnë në Turqi për të marrë shërbim shëndetësor.

Në Shqipërinë e 2030 do t’i kenë këtu të gjitha llojet e shërbimeve, të gjithë atë cilësi që kërkojnë kur shkojnë në Turqi dhe gamën më të gjërë të të gjitha operimeve dhe ndërhyrjeve në rajonin tonë pa diskutim, sepse sot jemi në kushte të tjera. Kemi fituar një besim të madh tek të tjerët. Edhe kërkesa për të ardhur për të investuar në të gjithë sektorët është e jashtëzakonshme po këto janë të gjitha të lidhura edhe me vendet e punës, edhe me pagat.

Ne kemi krijuar 3 mijë mjekë specialistë, kur erdhëm kishte 4 vjet që nuk specializohej asnjëri. Kështu që, është komplet një pamje tjetër dhe dua ta mbyll me një temë që lidhet me korrupsionin dhe dua t’ju them juve dhe do t’ia përsëris të gjithëve, siç ua kam thënë më parë dhe dje deri në njëmbëdhjetë maj, do ta dëgjoni këtë këngë për ditë, nëse ka një arsye të parë të brendshme, se e para e të parave është që ne ia kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe ne e kemi bërë Shqipërinë të barabartë në çdo lloj hapësire dhe në çdo lloj tavoline, me çfarëdo lloj gjuhe të huaj. Por, nëse ka një arsye kryesore të brendshme që ju të gjithë, si drejtues të Partisë Socialiste, duhet të jeni krenarë, është pikërisht ajo që po ndodh me drejtësinë.

Është pikërisht lufta kundër korrupsionit. Nuk do të ndodhte asgjë nga ato që shikoni, asgjë nga ato që dëgjoni, nëse nuk do të ishte dhe nuk është sot Partia Socialiste e vendosur që ta mbështesi gjithë këtë proces. Nuk do të ndodhte!

Thoshin: “E bëri Amerika, e solli Amerika.” Po tani? Kanë ikur amerikanët, nuk janë më atje te Stacioni i Trenit. Nuk janë më! Për herë të parë që nga 91-shi s’ka më deklarata të Ambasadës Amerikane. Jo, bravo që u kap filani! Jo, ne po e ndjekim fistekun! Jo, nuk ka! Kush e mban tani SPAK-un dhe Gjykatën Speciale larg duarve të bufit të kënetës? E keni dëgjuar bufin e kënetës që tha: “Do ta shkrij, do ta shkrij SPAK-un, “noc rrokun” në 11 maj?

Ju duhet të kuptoni të gjithë dhe ne të gjithë së bashku duhet t’i bëjmë të gjithë të kuptojnë që kemi marrë përsipër të transformojmë Shqipërinë dhe transformimi i Shqipërisë, pa transformimin e drejtësisë, nuk është transformim.

Në fund të ditës, rrugë, ura, shkolla, spitale e çfarë të doni ju, të tjera mund të bëhen dhe ne dimë t’i bëjmë më mirë, ku e ku se të tjerët. Por, nëse nuk ka barazi përpara ligjit dhe nëse nuk ka drejtësi të barabartë për të gjithë, nuk e kemi bërë detyrën karshi fëmijëve tanë.

Tani, kjo është kollaj ta thuash, por për ta bërë duhet të marrësh përsipër kostot. Sepse, tjetër është të mbjellësh pemë dhe tjetër është të japësh drejtësi. Tjetër është që gabimisht, pemët t’i mbjellësh në korrik, se pemët mbillen në dimër, nuk mbillen në verë. Po ti gabon, i mbjell në korrik e ato thahen. Keq është, por pemët u thanë. Tjetër është të marrësh në qafë njerëz, se ti e jep drejtësinë gabim.

Janë dy gjëra të ndryshme!

Mirëpo, edhe pse kur këtë drejtësi që ti e jep gabim e vuan një familje si e jona, për dikë nga ne – që jep pse është dikush nga ne, po unë mendoj që çdo shqiptar që nuk kapet në vendin e krimit, mbasi ka vrarë, sapo ka vrarë, ose që nuk kapet në vendin e krimit me presh në duar, ose që nuk është shoqërisht i rrezikshëm, meriton të ketë një gjyq të drejtë, të ndershëm, transparent. Çdokush! Çdokush! Çdo shqiptar! Sepse, përndryshe kemi një drejtësi të pavarur, po nuk kemi një drejtësi të drejtë. Kemi një drejtësi që bën çfarë të dojë, por nuk kemi një drejtësi që bën gjithmonë atë që duhet.

Mirëpo, nga ana tjetër, duhet të merremi vesh. Ne jemi qeveria e Shqipërisë. Ka që në 1912 që Shqipëria e ka institucionin e qeverisë dhe prapë se prapë, nuk jemi në nivelin që t’i bëjmë gjërat siç i bën qeveria e Gjermanisë, apo e Francës, apo e Zvicrës, apo e Danimarkës, që kanë një traditë shumë më të madhe. Po kjo drejtësi e re, që ka 5 vjet, patjetër që t’i kërkosh të mos bëjë gabime është njësoj si t’i thuash një fëmije: “Fol dhe shkruj 3 gjuhë të huaja pa mësuar asnjë abetare.” Nuk ndodh!

Është e rëndë, por ne do t’i qëndrojmë kësaj, do t’i qëndrojmë deri në fund, me çdo çmim. Kjo është një kosto që e merr një forcë që ka marrë përsipër të bëjë shtetin dhe cilido që ka marrë përsipër të merret me politikë dhe të marrë vendime në nivelin e parlamentit, në nivelin e qeverisë, në nivelin e bashkive, e ka marrë përsipër këtë kosto, edhe për të qenë viktimë e një padrejtësie.

Nga ana tjetër, ne, duke mos e vënë në diskutim pavarësinë dhe duke mos lejuar kënd që ta cenojë pavarësinë, dhe duke e prezantuar bufin e kënetës me “Noc Rrokun”, edhe për këtë çështje do të flasim hapur për gjërat që nuk shkojnë. Nuk e kemi bërë për 5 vjet. Se kemi bërë se ndryshe nuk do të kishte pasur dot drejtësi të pavarur këtu. Ne nuk duam që ndërkohë që ne duam të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, ndërkohë që ne duam ta kemi atë emrin Albania aty, të na çohen një ditë të bukur hollandezët dhe të thonë: “Shiko, me Shqipërinë kemi një problem, sepse nuk ka më mungesë vullneti për të luftuar korrupsionin, por ka mungesë respekti për të drejtat e njeriun.”

Sot, Gjykata e Strasburgut nxori të paligjshëm arrestimin pa gjyq të ish-drejtorit të Radio Televizionit. Unë nuk e di fare, hiç! E as nuk kam për ta komentuar, edhe sikur ta di, nëse “është i fajshëm ose i pafajshëm, gjykata e ka nxjerrë të fajshëm”. Por ama, si e kanë nxjerr të fajshëm, si e ka nxjerr të pafajshëm gjykata, kjo është temë tjetër. Arrestimi pa gjyq është i paligjshëm! Dhe mjafton të lexosh vendimin e Strasburgut për të kuptuar se sa shumë nga këto arrestime të paligjshme do t’i paguajë nesër taksapaguesi shqiptar në formën e dëmshpërblimit.

Pse? Pse duhet ta marrësh tjetrin, ta fusësh në burg pa gjyq, për të treguar që je i fortë? Për të treguar që je ti e s’ka tjetër këtu? Apo për të treguar që prokuroria dhe gjykata janë e njëjta gjë si në komunizëm? Dhe kjo, më shumë sesa për SPAK-un, është një këmbanë që bie për gjykatësit. Gjykatësit janë aty për të qenë të drejtë, të barabartë, të paanshëm, të pavarur, profesionistë e të tjerë, e të tjerë. Nuk janë aty për të mbajtur anën e prokurorit. Prokurori ka punën e vet, gjykatësi ka një punë tjetër.

Dhe gjykatës që bëjnë marrëveshje me prokurorin përpara, apo që kanë frikë nga prokurori, gjykatësit, dhe që bien dakord që të kapin e të fusin njerëz pa gjyq në burg, janë problem. Një njeri një, jo kaq shumë sa.. Po iu them unë kanë për të dalë komplet viktima për arrestimin pa burg flas për burgun është komplet gjë tjetër dhe madje pikërisht se është gjë tjetër është një argument për të thënë se: -Ti nuk ke pse e merr tjetrin peng përpara. Si ke ngritur akuzën, si i pandehur? I ke ngritur një akuzë si i dyshuar! “Tani, unë dyshoj për ty. Hajde, njëherë me mua të futesh mrenë, që unë të kërkoj prova që ti je siç unë mendoj që ti je?” Po kush je ti?! Kush je ti?!

Po 250 mijë njerëzit që kanë votuar? Çfarë janë ata? Apo janë kot?!

Po një kontratë me këtë milet, që duhet ta zbatojë një pushtet i zgjedhur, apo është kot? E kush duhet t’i ndjekë gjithë 1001 punët dhe të mbajë përgjegjësi për votën që i kanë dhënë njerëzit? Prokurori? Apo Noci? Këto nuk shkojnë, dhe për këto më vjen keq, po ne nuk do rrimë pa folur.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat