Përpara 1000 ditësh Rusianisi sulmin e zgjeruar ndaj Ukrainës. Pas avancimeve të shpejta të ushtrisë ruse mbrojtësit ukrainas ia dolën, që ta sprapsin sulmuesin kryesisht në kufirin verior. Edhe në jug Ukraina e zhvendosi ushtrinë ruse pas Dnjipros, lumi më i madh i vendit. Në verën 2024 ushtria ukrainase ndërmori me sukses kundërsulmet në territorin rus në Oblast Kursk. Ushtria zyrtare ukrainase u mbështet gjatë këtij kundërsulmi pjesërisht nga grupet partizane paraushtarake.
Pjesë të tjera të mëdha të Ukrainës – kryesisht në rajonin Lugansk, Donjeck, Zaporishja dhe Kerson – vazhdojnë të mbeten nën kontrollin rus. Gadishullin e Krimesë Moska e pushtoi në mars 2014 duke e aneksuar. Në përgjithësi fronti për rreth dy vjet nuk ka lëvizur. E ndërkohë kjo po duket si një luftë cfilitëse.
Miliona janë në arrati
Me më shumë se 10 milionë të dëbuar, lufta në Ukrainë, sipas të dhënave të UNHCR-së, ka shkaktuar krizën më të madhe të dëbimeve në mbarë botën.
6,7 milionë refugjatë ukrainas kanë gjetur strehim në vendet europiane: vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024 këtyre iu shtuan edhe 400.000 të tjerë. Brenda Ukrainës një pjesë e madhe prej rreth 4 milionë vetë vazhdojnë të jenë në arrati duke u larguar nga pjesa lindore e vendit të tyre. “Një numër i madh fëmijësh po vazhdojnë të ndjekin mësimet online duke mbetur kësisoj të shkëputur nga intekativiteti social dhe përvojat në klasë”, tha javën e kaluar në Gjenevë Kelly T. Clements, zëvendëse e Komisares së Lartë të UNHCR-së.
Gjendja humanitare në përgjithësi që nga fillimi i luftës në Ukrainë është përkeqsuar në mënyrë dramatike, sipas të dhënave të Zyrës së OKB-së për Çështjet Humanitare (UNOCHA).
Sipas të dhënave të OKB-së rreth 40 përqind e popullsisë është e varur nga ndihma humanitare. Për të mbuluar nevojat themelore të këtyre njerëzve, UNOCHA-së dhe UNHCR-së i nevojiten ndihma në vlerën rreth 4 miliardë euro.
Ekonomia ruse e luftës po tregon qëndrueshmëri
Bashkimi Europian dhe të tjerë aleatë perëndimorë që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës përpara 1000 ditësh i kanë vendosur sanksione ekonomike Rusisë, megjithatë pasojat nuk e kanë dhënë efektin e parashikuar. Pas një dobësimi të përkohshëm në vitin 2022 produkti bruto në vend i Federatës Ruse përmes riorientimit nga ekonomia e luftës dhe falë mbështetjes nga Pekini e mori veten shpejt. E njëjta gjë vlen edhe për kursin e këmbimit të rublës.
Kjo shpjegohet ndër të tjera me faktin, se bllokada ndaj importeve të energjisë me bazë fosile si gazi natyror, nafta dhe qymyri nga Rusia, nuk dha efektin e parashikuar për të pakësuar dukshëm të ardhurat e Moskës nga eksporti. Koncernet shtetërore gjetën tregje të tjera për shitjen e lëndëve të para si në Kinë dhe Indi. Po ashtu ka disa të dhëna, që pasuritë nëntokësore ruse pavarësisht embargos përfundojnë në vendet e BE-së – përmes rrugëve të tërthota nga vende të treta. Rritja e çmimit të gazit natyror nga Rusia, ka bërë që humbjet prej sanksioneve të mos jenë as të ndjeshme sa kishin shpresuar shtetet sanksionuese.
Miliarda për ushtrinë ukrainase
BE-ja dhe NATO mbështesin Ukrainën jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Rusisë agresore, por Kievi merr edhe ndihma financiare dhe humanitare. Kontributin më të madh e ka dhënë SHBA-ja.Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022 dhe fundi i gushtit 2024 SHBA kanë vënë në dispozicion gati 85 miliardë euro, sipas vlerësimeve të Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore. Ndihmat e BE-së si dhe të vendeve anëtare brenda kësaj periudhe kohore kanë qenë mbi 100 miliardë euro. Po ashtu Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja janë ndër vendet më të mëdha donatore.
Presidenti i ri i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, në fushatën elektorale ka deklaruar, se do të pakësojë dukshëm ndihmat për Ukrainën. Ukraina mund ta ketë një shans për të luftuar kundër Rusisë vetëm nëse vendet e tjera donatore do t’i shtojnë ndihmat e tyre./DW