back to top
26.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Unë në izolim, ata në poste”/ Meta akuzon Braimllarin dhe SPAK për...

“Unë në izolim, ata në poste”/ Meta akuzon Braimllarin dhe SPAK për lojë politike

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me hetimet për lobimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke akuzuar ish-sekretarin e përgjithshëm të partisë, Endrit Braimllari, dhe Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për manipulim politik dhe bashkëpunim të heshtur me mazhorancën.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Meta ka sulmuar drejtpërdrejt Braimllarin, duke e cilësuar si një “shembull të gjallë të mënyrës sesi SPAK konverton njerëzit pa karakter në ‘rilindas’ të denjë – gënjeshtarë”.

“Vetëm një ‘rilindas’ mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur,” shkruan Meta, duke iu referuar kontratave të lobimit në SHBA për të cilat po zhvillohen hetime nga SPAK.

Sipas tij, këto dokumente mbajnë firmën e vetë Braimllarit, i cili në atë kohë ishte një nga zyrtarët më të lartë të LSI-së. Meta thekson se në periudhën për të cilën bëhet fjalë, ai vetë mbante detyrën e Presidentit të Republikës dhe nuk kishte asnjë rol drejtues në parti.

“Në atë kohë unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës. Për firmat e tij, unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti ‘gradohet’ nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës”, shkruan ai.

Meta hodhi gjithashtu akuza të rënda edhe ndaj drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, duke ngritur dyshime për qëndrimin e tij dhe duke pyetur nëse është vetë ai që “gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij”.

Reagimi i Metës vjen në një kohë kur SPAK ka intensifikuar hetimet për financimet e dyshimta të partive politike dhe për lobimet që janë bërë nga partitë shqiptare në SHBA në periudha të ndryshme, përfshirë dosjen e njohur të LSI-së.

Deri tani, as Endrit Braimllari dhe as SPAK nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të Metës.

Ky qëndrim i fortë i ish-presidentit shton më tej tensionin politik midis opozitës dhe strukturave të drejtësisë, në një moment kur proceset gjyqësore dhe hetimet për financimet politike mbeten një nga çështjet më të debatueshme në jetën publike të vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat