Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi sot projektbuxhetin për vitin 2026 në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, duke vënë theksin tek investimet në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Buxheti i dedikuar universiteteve publike dhe programeve të kërkimit arrin në 146 milionë euro, ndërsa së bashku me të ardhurat vetanake të universiteteve, fondet totale kapin 185 milionë euro.
Këto fonde do të përdoren për grante mësimdhënie, mbështetje financiare për studentët, projekte kërkimore dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë. Për investime kapitale janë parashikuar 18,3 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës së universiteteve dhe 40 projekte të kërkimit shkencor me vlerë 3,5 milionë euro.
Ministrja Kumbaro nënvizoi projektet prioritare, duke përfshirë rindërtimin e godinës së Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rikonstruksionin e Fakultetit të Gjeologji-Minerave, ndërtimin e muzeut të gjeologjisë, ngritjen e godinës së Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, si dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe laboratorike të universiteteve.
Në fjalën e saj, Kumbaro theksoi gjithashtu rëndësinë e projekteve inovative si Liceu Franko-Shqiptar i Shkencës dhe Inovacionit në Korçë dhe transformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Agjenci të Shërbimeve Arsimore, sipas modelit të Universitetit të Cambridge, për të garantuar ekspertizë të avancuar dhe standarde ndërkombëtare.
“Buxheti i vitit 2026 për arsimin e lartë nuk është thjesht shifra, por një investim strategjik për të forcuar cilësinë, modernizimin dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare,” tha Kumbaro, duke e quajtur këtë hap një urë drejt zhvillimit ekonomik dhe inovacionit në vend.



