Pas vetëm 17 muajsh në krye të Policisë së Shtetit, Ilir Proda u shkarkua sot nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm, me argumentin se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë gjatë protestave të opozitës, ku pati tensione dhe përdorim force nga protestuesit dhe policia.
Që në fillim të këtij viti dhe gjatë javëve të fundit, Proda u bë objekt kritikash të ashpra politike. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e akuzoi atë publikisht si “një nga kryebanditët e narkoshtetit” dhe si një figurë që përfaqëson “interesat e regjimit qeveritar”, duke e cilësuar si mercenar politik dhe jo si një udhëheqës policie që i shërben qytetarëve.

Këto akuza u përforcuan edhe nga pretendimet e Berishës se një pajisje e dyshimtë u gjet në selinë blu, të cilën ai deklaroi se mund të jetë dërguar pikërisht nga Proda një pretendim jo i verifikuar zyrtarisht, por i përdorur si element kritike politike.
Nga pezullimi në ngritjen në detyrë
Ilir Proda ka shërbyer si Shef në Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, një pozicion me shumë presion dhe problematikë operative mbi vete. Sipas raporteve të mediave të kohës, në këtë post ai u përball me denoncime serioze, duke përfshirë edhe një rast të rëndë kur u akuzua për dhunë ndaj një qytetareje brenda zyrës, pretendim që çoi në pezullimin e tij dhe hapjen e hetimeve, pasi vajza denoncuese pretendoi se kishte përfunduar pa ndjenja në Spitalin e Traumës pas incidentit brenda komisariatit. Për këtë rast ka pasur reportime në media, por jo konfirmim zyrtar duke lënë çështjen në sferën e debatit publik.
Pas këtij incidenti, Proda u transferua në Bulqizë një stacion i vështirë për shkak të sfidave me krimin e organizuar dhe administrimin e shërbimit policor në zonë.
Më vonë ai u emërua drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe në tetor 2024 u zgjodh Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, një pozicion ky që u konsiderua nga qeveria si “hapat e reformimit të policisë” në vend.

A është Proda nën hetim nga SPAK-u?
Pyetja që ka ndezur debat është se a i është sekuestruar telefoni Prodës, për shkak të hetimeve që SPAK-u po kryen ndaj tij?
Por përgjigjja zyrtare nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ishte e prerë. Telefoni i Ilir Prodës nuk është sekuestruar nga Byroja Kombëtare e Hetimit. SPAK sqaroi se nuk jep informacion për veprime hetimore në zhvillim, si çështje detyrimi ligjor, por mohoi publikisht sekuestrimin e pajisjes së tij personale.
Por, ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë një interviste për media nënvizoi se pavarësisht kush janë personat e përfshirë, informacionet mbi hetimet në zhvillim nuk publikohen, duke i dhënë kështu kontekst ligjor moskonfirmimit të një veprimi konkret.
“SPAK nuk jep informacione mbi veprime hetimore që janë në zhvillim, të çfarëdo lloj natyre qofshin ato. Ky është detyrim ligjor, jo zgjedhje. Në çdo rast, veprimet ndërmerren ndaj cilitdo qoftë, një zyrtari të lartë, funksionari publik apo qytetari të thjeshtë, kryhen duke u mbështetur në ligj dhe vetëm mbi bazën e provave”, shprehet Dumani, duke mos mohuar dhe as pohuar sekuestrimin e telefonit./E Vërteta.al (E.S)
Molotovët ‘fundosin’ kupolën e Policisë/ Rama shkarkon Prodën dhe Alushin



