Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule thotë se opozita duhet të kthejë gishtin nga vetja pas disfatës së thellë të 11 majit. Kreu i PBDNJ thekson se zgjedhjet e fundit nuk mund të konsiderohen të ndershme, pasi sipas tij nuk ka pasur certifikim nga autoritetet ndërkombëtare, ndërkohë që në raportet e tyre mungon edhe fraza që në zgjedhje janë bërë hapa përpara.
Dule thekson se dështimi i opozitës është për shkak të përçarjeve të brendshme dhe blerjes së votave. “Është programi më i plotë ai i paraqitur nga opozita më 11 maj. Dështuam sepse edhe njerëz nga radhët tanë u blenë apo ranë viktima të presionit”, tha ai. Sipas tij, nëse vota opozitare do të ishte unifikuar, rezultati përfundimtar do të ishte ndryshe dhe ndoshta do të kishte sjellë përmbysjen e tij.
Vangjel Dule nxit liderët opozitarë të bëjnë reflektim dhe të punojnë për një bashkim më të fortë për të përballuar sfidat e ardhshme politike në Shqipëri.