Kryetari i PD, Sali Berisha, ka bërë një tjetër deklaratë të fortë publike, duke pretenduar se ish-kryebashkiaku Vangjush Dako (Gjushi) është larguar nga vendi, ndërsa atentati me tritol ndaj tij lidhet me përplasjet mes bandave.
“Sipas shumë të dhënave, Gjushi është larguar nga vendi në drejtim të paditur. I bëj thirrje të tregojë vendndodhjen,” – deklaroi Berisha.
Ai shtoi se tritoli i vendosur në makinën e Dakos është vepër e Aldo Avdylajt, i cili sipas tij ka vepruar si paralajmërim ndaj Dakos pas prishjes së marrëdhënieve mes grupeve kriminale.
“Tritolin Gjushit, mesa duket, ia vendosi Aldo Avdylaj. Ai i ka thënë: ‘Tritoli është paralajmërim, ti më ke kërkuar të bëj krime dhe unë t’i kam bërë. Të të jap votat, t’i kam dhënë. Tani ju mbroni Elvis Doçin dhe nuk pyesni më për mua’”, – tha Berisha, duke cituar informacionet e ashtuquajturit “qytetar dixhital”.
Sipas tij, Avdylaj është arrestuar nga Altin Troplini për llogari të Elvis Doçit, ndërsa policia po përdoret si instrument i bandave për të goditur rivalët.
“Bandat më të fuqishme po qërojnë rivalët e tyre nëpërmjet institucioneve që kontrollojnë,” – shtoi Berisha, duke paralajmëruar se situata e ngjashme po përsëritet në disa qytete të vendit.