Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shkarkuar me vendim të Këshillit të Ministrave, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore në kryeqytet.
Në padinë e tij, Veliaj argumenton se dekreti nr. 350, datë 1.10.2025, është nxjerrë në kundërshtim të hapur me nenin 115 të Kushtetutës, pasi ai kishte ushtruar të drejtën e ankimit brenda afatit 15-ditor, çka pezullonte automatikisht efektet e shkarkimit.
Sipas tij, Presidenti nuk kishte kompetencë kushtetuese për të shpallur zgjedhje në një moment kur vakanca e postit ishte ende e pezulluar ipso jure nga ankimi në Kushtetuese.
“Mandati i Kryetarit të Bashkisë nuk është një mandat personal, por shprehje e sovranitetit qytetar. Shfuqizimi i tij pa vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese është një cenim i hapur i parimit të përfaqësimit demokratik dhe autonomisë vendore”, thekson Veliaj në kërkesën e depozituar.
Ai paralajmëron se zbatimi i dekretit presidencial rrezikon të prodhojë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme: organizim zgjedhjesh mbi një vakancë të pavërtetuar ligjërisht, konsumim të burimeve publike dhe krijim të një fakti të kryer institucional që as Gjykata Kushtetuese nuk do të mund ta zhbënte.
Veliaj kërkon që Kushtetuesja të pezullojë menjëherë efektet e dekretit presidencial dhe të garantojë respektimin e afatit kushtetues katërvjeçar të mandatit të dhënë nga qytetarët e Tiranës.
Sipas tij, çdo ndërhyrje e parakohshme nga pushteti qendror krijon precedent të rrezikshëm për rrëzimin politik të kryebashkiakëve të zgjedhur me votë popullore.