Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkonte prishjen e vendimit të Apeli i Posaçëm lidhur me refuzimin e kërkesës së tij për pavlefshmëri të veprimeve hetimore të kryera nga SPAK.
Vendimi u mor këtë të enjte në dhomë këshillimi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala. Me këtë vendim, Gjykata e Lartë la në fuqi qëndrimin e Apelit të Posaçëm, duke mos pranuar pretendimet e Veliajt për shkelje proceduriale gjatë hetimit.
Kryebashkiaku kishte kërkuar që të shpalleshin të pavlefshme disa veprime hetimore të SPAK-ut, duke argumentuar se ato ishin kryer në kundërshtim me procedurat ligjore dhe se cenonin të drejtat e tij në proces. Megjithatë, gjykatat më të ulëta kishin rrëzuar më herët këtë kërkesë, ndërsa tashmë edhe Gjykata e Lartë vendosi të mos e pranojë rekursin, duke e bërë vendimin përfundimtar në këtë fazë proceduriale.



