back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 14 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetVeliaj i kërkon SPAK-ut dhe Burgjeve leje për takim me përfaqësuesit e...

Veliaj i kërkon SPAK-ut dhe Burgjeve leje për takim me përfaqësuesit e Këshillit të Europës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me një kërkesë për të lejuar zhvillimin e një takimi zyrtar me përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, gjatë vizitës së tyre në Shqipëri nga 17 deri më 19 nëntor 2025.

Delegacioni i Këshillit të Europës pritet të zhvillojë një mision monitorimi në Tiranë, për të vlerësuar respektimin e parimeve të demokracisë vendore dhe qeverisjes së mirë, si dhe për t’u njohur nga afër me situatën ligjore të Veliajt, i cili ndodhet aktualisht në Institucionin e Veçuar për Ekzekutimin e Vendimeve Penale (IVEP) Durrës.

Në kërkesën zyrtare, Veliaj thekson se vizita e delegacionit të Kongresit zhvillohet në kuadër të detyrimeve të Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Europës, ndërsa kërkon që përfaqësuesve të huaj t’u mundësohet takimi me të në ambientet e burgut, për të garantuar transparencë dhe informim të drejtë mbi situatën e tij ligjore dhe institucionale.

“Qëllimi i këtij takimi është të sigurojë transparencë, komunikim të drejtpërdrejtë dhe informim të saktë mbi situatën time ligjore, statusin tim institucional si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe respektimin e të drejtave të mia si i ndaluar,” – shkruan Veliaj në kërkesën drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve.

Në dokument, Veliaj argumenton se kërkesa mbështetet në nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim.

“Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 6 dhe 8, ju lutem të miratoni këtë kërkesë dhe të siguroni kushtet për zhvillimin e takimit gjatë periudhës së vizitës së përmendur,” – thekson ai.

Sipas burimeve, përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës do të takohen edhe me zyrtarë të qeverisë, drejtues vendorë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, në kuadër të misionit të radhës së monitorimit të demokracisë vendore në Shqipëri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat