Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të ushtronte të drejtën e tij për të kallëzuar Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, pranë Prokurorisë së Posaçme, për shkelje të Kushtetutës dhe shpërdorim detyre.
Lajmi u bë i ditur nga avokati Arbër Hoxha, në Klan News.
Hoxha tha se Presidenti Begaj ka kryer një nga shkeljet më të rënda të nenit 115, pika 2 të Kushtetutës, duke konsideruar se ankimimi i Veliajt në Gjykatën Kushtetuese pezullon çdo vendimmarrje të Këshillit të Ministrave deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.
“Në këto kushte, besoj se zotit Veliaj patjetër që do të ushtrojë të drejtën e kallëzimit penal për Presidentin e Republikës,” tha avokati Hoxha.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese i kishte komunikuar ditën e djeshme presidentit se vendimi mbi shkarkimin e Veliajt ishte i pezulluar. Në këtë kontekst, Hoxha argumenton se, ndërsa presidenti mund të dekretonte zgjedhjet për pesë bashki të tjera, për Tiranën duhej të prisnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Është 100% e sigurt. Zoti Veliaj është në të drejtën e tij legjitime dhe kushtetuese për të ushtruar kallëzim penal pranë SPAK, duke qenë se presidenti i Republikës është një nga subjektet e nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale dhe patjetër do ta ushtrojë këtë të drejtë. Mbi të gjitha, presidenti duhet të jetë garant i Gjykatës Kushtetuese,” përfundoi Hoxha.
Ky zhvillim vjen pas dekretit të Presidentit Begaj për datën e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës dhe pesë bashki të tjera, një vendim që ka nxitur debate të forta politike dhe juridike mes institucioneve dhe forcave opozitare.