Në përfundim të seancës plenare që nisi në orën 12:00 këtë të enjte dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, Gjykata Kushtetuese ka miratuar kërkesën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për përcaktimin e datave të fillimit dhe përfundimit të mandateve të anëtarëve të saj.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të dokumenteve të paraqitura nga Presidenca, të cilat, sipas njoftimeve zyrtare, kishin për qëllim sqarimin e periudhës së saktë të ushtrimit të mandateve të gjyqtarëve kushtetues.
Kërkesa ishte depozituar që në fund të muajit janar, por shqyrtimi i saj u bë sot, në mungesë të palëve të interesuara. Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese synon të shmangë çdo paqartësi lidhur me rotacionin e anëtarëve dhe vijimësinë e funksionimit të institucionit.