Dy nga zyrat më të njohura ligjore ndërkombëtare, “Kasowitz LLP” me seli në Nju Jork dhe “Mishcon de Reya LLP” në Londër, që përfaqësojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij dhe e riktheu në detyrë.
Në një deklaratë të përbashkët, zyrat ligjore e cilësojnë këtë si një fitore të madhe ligjore dhe demokratike, pas një beteje nëntëmujore në gjykata.
“Vendimi riafirmon parimin themelor kushtetues se mandati i një zyrtari të zgjedhur nuk mund të ndërpritet pa respektuar procesin e rregullt ligjor,” thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vepruar në mënyrë jokushtetuese, pasi përdori ndalimin e përkohshëm të Veliajt si arsye për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut.
Në fjalimin e tij të parë publik pas vendimit, Veliaj u shpreh se drejtësia dhe demokracia kishin triumfuar.
“Prita nëntë muaj për të folur për nëntë minuta. Mund ta burgosësh një person, por jo të vërtetën e tij. Mungesa ime nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti,” tha Veliaj, duke shtuar se “asnjë zyrtar i zgjedhur nuk duhet të shkarkohet pa vendim fajësie”.
Avokati ndërkombëtar i Veliajt, Daniel Fetterman nga “Kasowitz LLP”, e cilësoi vendimin si një fitore të jashtëzakonshme.
“Kjo është një fitore e jashtëzakonshme për Erionin, por edhe për qytetarët e Tiranës dhe për sundimin e ligjit në të gjithë botën,” deklaroi ai.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, ky vendim shihet si një moment përcaktues për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe për vazhdimin e misionit të Veliajt për të transformuar Tiranën në një qytet modern evropian.
Në përfaqësimin ligjor të kryebashkiakut morën pjesë partnerët Daniel J. Fetterman dhe Brian S. Choi nga “Kasowitz LLP”, si dhe ekipi i “Mishcon de Reya” i përbërë nga James Libson, Ben Brandon, Celia Marr, Grace Houghton dhe Elizabeth Fitton.



