Një zhvillim i papritur ka tronditur politikën franceze. Kryeministri Sébastien Lecornu ka dhënë dorëheqjen vetëm pak orë pasi prezantoi kabinetin e tij të ri qeveritar.
Lajmi u konfirmua nga Pallati Elize, pas një takimi që Lecornu zhvilloi të hënën në mëngjes me Presidentin Emmanuel Macron, takim që zgjati rreth një orë.
Ky vendim vjen vetëm 26 ditë pas emërimit të Lecornu-së në krye të qeverisë, pas rrëzimit të kabinetit të mëparshëm të udhëhequr nga François Bayrou.
Dorëheqja e Lecornu-së pason presionet e shumta politike dhe kërcënimet për votë mosbesimi nga disa parti në Asamblenë Kombëtare. Kritikët e akuzuan për mosndryshime thelbësore në kabinet, i cili sipas tyre mbeti thuajse i njëjtë me atë të Bayrou-së.
Kjo gjendje solli pakënaqësi të gjerë dhe tensione politike, të cilat kulmuan me dorëheqjen surprizë të kryeministrit.
Presidenti Macron do të duhet të propozojë një emër të ri për kryeministër, në një kohë kur qeveria franceze përballet me presion të lartë nga opozita dhe sfida serioze në Asamblenë Kombëtare.
Dorëheqja e Lecornu konsiderohet si një nga zhvillimet më të shpejta dhe më të papritura politike në Francë në vitet e fundit, duke krijuar një krizë të re qeveritare vetëm pak javë pas formimit të kabinetit.