Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka reaguar me ton ironik dhe kritika të forta ndaj vendimit të PD-së për të vendosur Oerd Bylykbashin si bashkëkryetar të Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Murrizi e cilëson këtë vendim si një lëvizje që shërben interesave të Edi Ramës dhe PS-së, duke theksuar se Partia Demokratike nuk do të fitojë në zgjedhje për sa kohë Bylykbashi vazhdon të ketë një rol vendimtar në hartimin e kodit zgjedhor.
Reagimi i Murrizit
Në reagimin e tij publik, Murrizi shkruan:
“Epo shyqyr ore se na u bë syt bakër duke lexuar portale e gazeta online për të parë nëse PD do ta kishte propozuar Oerd Bylykbashin tek komisioni i reformës zgjedhore apo jo! Po ja me ne fund, PD nuk zhgënjeu dhe e emëroi Bylykbashin bashkëkryetar siç ka bërë prej vitit 2013.”
Më tej, Murrizi kritikon mënyrën se si Bylykbashi ka vepruar në të kaluarën, duke pretenduar se ai përdor kodin zgjedhor për të favorizuar deputetë të listave të mbyllura, pa votat e qytetarëve:
“Vetëm Oerdi mund të mashtrojë në mënyrë ordinere, siç bëri në korrik 2024 kur votoi mbylljen 30% të listës, duke përdorur justifikime të rreme për vendimet e Gjykatës Kushtetuese.”
Ai thekson se PD duhet të dërgonte në Komision deputetë të zgjedhur nga qytetarët dhe jo nga lista e mbyllur:
“Në komision të reformës zgjedhore nuk duhet të ishte asnjë deputet që është në Parlament nga lista e mbyllur dhe pa votat e qytetarëve. Shqipëria ka nevojë për një kod zgjedhor ku qytetarët të zgjedhin deputetët, jo thjesht të votojnë për qelbësirat e politikës që mbyllen nëpër lista.”
Mesazh për PD-në
Murrizi paralajmëron se nëse PD nuk ndryshon qasjen ndaj reformës zgjedhore dhe vazhdon të vendosë figura si Bylykbashi, partia nuk do të fitojë zgjedhjet:
“PD mund të vazhdojë të ‘bylykbashizohet’ edhe për 16 vjet të tjera me Ramën në pushtet, njësoj si këto 16 vite që është në opozitë.”



